Messi: Shpresoj se futbolli do të ma shpaguajë borxhin

Sport December 13, 2017 - 14:21

Shumë adhurues të futbollit besojnë se ky sporti i ka borxh një Kupë të Botës Lionel Messit.

Trajneri i Argjentinës, Jorge Sampaoli, e ka thënë po të njëjtën gjë, dhe ylli argjentinas është pajtuar me trajnerin e vet, duke thënë se shpreson se do bëhet kampion bote në korrik të vitit të ardhshëm, transmeton Express.

Pas kualifikimit të Argjentinës në Kupën e Botës “Rusia 2018”, Sampaoli pati thënë se futbolli ia ka borxh Messit një Kupë të Botës.

Ndërsa, Messi së fundmi u pyet rreth këtyre komenteve të trajnerit të tij në Kombëtare dhe tha se pajtohet.

“Po, e kam dëgjuar çfarë ka thënë. Të njëjtën gjë ka ma thënë dhe mua. Shpresoj se futbolli do të ma shpaguajë borxhin”, tha Messi teksa tentoi ta mbajë të qeshurën.

Ai ka folur edhe për finalen e humbur ndaj Gjermanisë në vitin 2014.

“Plagët e Brazilit 2014 nuk janë shëruar ende... dhe s’e di nëse do të shërohen ndonjëherë. Duhet të jetojmë me këtë. Kupa e Botës është një kujtim i lumtur imi, por me përfundim të hidhur”, ka shpjeguar ai.