Kosova harron telashet, pretendon të bëhet model botëror!

Sport December 13, 2017 - 12:52

Edhe pse viti 2018 po e gjen me 100 telashe sportin në Kosovë, ku klubet po luftojnë kundër shuarjes shkaku i krizës së jashtëzakonshme financiare, aty ku gjendja infrastrukturore sportive është e mjerueshme dhe e pamundëson zhvillimin e talenteve dhe masivizimin e sportit, aty ku dukuritë negative janë nga më të ndryshmet dhe përzierja e politikës me sport shihet prej aeroplani, me gjithë këto Kosova pretendon që në një të ardhme të bëhet vend shembullor për sportin botëror.

Në fakt, udhëheqësit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe ata të institucioneve tjera shtetërore i kanë thënë presidentit të Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Sheikh Ahmad al-Fahad al-Sabah, se Prishtina zyrtare e ka një plan strategjik për t’u bërë model sportiv i të gjitha vendeve botërore, shkruan sot gazeta Zëri.

Këtë ambicie të KOK-ut dhe të Qeverisë e ka zbuluar njeriu i madh i Lëvizjes Olimpike, i cili për tri ditë qëndroi në Kosovë, ku mori pjesë në manifestime për nder të 25-vjetorit të themelimit të KOK-ut dhe trevjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Unë jam shumë i kënaqur sepse të gjithë këtu në Kosovë më garantuan se modeli i sportit në Kosovë do të jetë modeli më i mirë në botë për t’u zhvilluar. Kënaqesha kur e dëgjoja strategjinë e KOK-ut dhe të institucioneve shtetërore për zhvillimin e sportit”, ka deklaruar Al-Sabah në një konferencë për mediet në Prishtinë.

“Kam takuar kryeministrin, ministrin e Sportit, kryeparlamentarin. Biseduam me Qeverinë dhe me nstitucionet tjera shtetërore të cilat janë të gatshme për investime infrastrukturore e po ashtu për financimin e sportit, duke u munduar ta marrim një shembull sa më të mirë dhe më të pranueshëm”, ka theksuar Al-Sabah.  

Al-Sabah paralajmëron shtetet që nuk e njohin Kosovën

Presidenti i ANOC-së, Sheikh al-Sabah, ka shprehur shqetësim dhe keqardhje rreth problemeve me të cilat përballen sportistët kosovarë për të udhëtuar me pasaporta kosovare drejt vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, apo për problemet e tyre për t’u pajisur me viza.

“Për t’i eliminuar këto probleme i kemi dy opsione: E para vlen për vendet që tashmë e kanë fituar të drejtën për organizimin e garave ndërkombëtare e të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Ju duhet të na njoftoni më herët se në cilat shtete planifikoni të udhëtoni për pjesëmarrje e që druani se do t’u pengojnë në mënyrë që ne të intervenojmë me kohë”, tha ai.

“E dyta vlen për shtetet që do të konkurrojnë për të marrë mbi supet e tyre organizimin e garave ndërkombëtare. Paraprakisht ne do të kërkojmë nga ato shtete që të na garantojnë se nuk do t’i pengojnë sportistët të hyjnë në ato shtete për shkaqe politike. Ju nuk jeni vendi i vetëm që përballeni me këso problemesh, andaj është e domosdoshme reagimi ynë”, ka potencuar El-Sabah. /Zëri/