Edhe një tjetër largim i madh nga Feronikeli

Sport December 12, 2017 - 16:52

Dorëheqja e kryetarit Ekrem Elshani nga Feronikeli ka pasuar me largimet të tjera nga klubi i Drenasit.

Në fakt, sot e ka konfirmuar largimin edhe njëri prej sponsoruesve kryesorë, Istref Veliqi.

Ai e ka bërë publik vendimin e tij përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook:

“Të nderuar qytetarë të Drenasit, mbështetës e në veçanti ju tifoz të Klubit të Futbollit “Feronikeli”. Ndiej obligim, sidomos para jush, të shpreh qëndrimin tim lidhur me situatën e krijuar në klubit tuaj të zemrës.

U bënë disa muaj, prej kur unë mora një përgjegjësi të re, duke marrë përsipër pozitën e Drejtorit në ekipin që edhe nga vet Federata e Futbollit të Kosovës por edhe sportdashësit, është vlerësuar si klubi më i organizuar në nivel vendi.

“Feronikelit” iu bashkova me shumë kënaqësi! Lojtarët, që janë shtylla kryesore e klubit, por edhe trajnerët e menaxhmenti i klubit, kanë funksionuar si një trup i vetëm, kemi punuar sikur të ishim familje. Prandaj, edhe jemi ku jemi! “Feronikeli” solli trofe në Drenas dhe bëri krenar secilin qytetarë. Me punë, i tejkaluam edhe kufijtë e Kosovës, duke arritur rezultate edhe në arenën ndërkombëtare, e duke bërë që Drenasi, grupi i tifozave “Tigrat e Zi” e Feronikeli, të përmenden edhe në medie të huaja, për frymën sportive, mbështetjen e madhe, funksionimin e klubit e mbi të gjitha rezultatet e arritura.

Por, ky sukses i madh i klubit, duket se dikujt po i pengon! Prandaj, klima ka ndryshuar. Kjo nuk është fshehtësi tashmë. Sportdashësit por edhe qytetarët e Drenasit, janë në dijeni për pengesat që i janë bërë vazhdimisht klubit “Feronikeli” nga njerëz që tashmë dihen me emër dhe mbiemër!

Komuna e Drenasit, dje me një ceremoni ndau çmimet për sportistët më të dalluar të vitit 2017 në këtë qytet. Për habi, i pari i kësaj Komune, Ramiz Lladrovci, në vend se të krenohet me punën dhe suksesin e klubit “Feronikeli”, i kërkoi dorëheqjen njeriut që me mund e shumë punë, e ngriti klubin në nivelin që është sot.

Largimi i Ekrem Elshanit, që deri dje ishte Kryetar i Klubit, më demotivoi! Kërkesën për tërheqjen e tij nga klubi, e shoh si shantazh, kërcënim dhe ndërhyrje politike në sport. Elshani ishte ai që mua më bindi ti bashkohem klubit, por në të njëjtën kohë dorëheqja e tij në këtë mënyrë, më solli edhe mua para një vendimi të vështirë por të domosdoshëm!

Unë Istref Veliu, Drejtor në Klubin tuaj të zemrës, jap dorëheqje nga pozita që kam, për arsyet e lartëcekura. Është e pamundur, që klubi të funksionoj me këtë formë të presionit të ushtruar nga Komuna e Drenasit!

Uroj që klubi “Feronikeli” të vazhdoj rrugën e suksesit, me ose pa mua, dhe shpresoj që njëherë e mirë politika të largohet nga sporti, sepse janë dy fusha që duhet të funksionojnë si të pavarura”. /Zëri/

Image