Presidenti i ANOC-ut, Sheikh Al-Sabah mbylli vizitën në Kosovë me këshilla dhe premtimin për mbështetje të sportistëve të Kosovës

Sport December 12, 2017 - 16:30

Presidenti i Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), z. Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah, ka mbyllur vizitën e tij tre-ditëshe në Kosovë.

Në ditën e fundit ai tregoi përshtypjet gjatë takimeve të shumta që pati me zyrtarët e lartë të shtetit në Kosovë dhe me presidentin e KOK-ut, z. Besim Hasani.

“Unë isha shumë i kënaqur, sepse të gjithë më garantuan se sporti në Kosovë do të jetë një nga modelet më të mira në botë. Për këtë veç biseduam edhe me presidentin e KOK-ut, z. Hasani për organizatat tjera sportive siç janë VADA dhe KAS, pasi kjo do të na ndihmojë në krijimin përfundimtar për ngritjen e të gjitha strukturave përfundimtare për sportin e Kosovës. Po ashtu isha shumë i lumtur të dëgjojë strategjinë e KOK-ut dhe qeverisë për sportin. Me KOK-un jemi duke punuar së bashku për të përgatitur atletët për ‘Tokio 2020’ dhe gjithashtu që Kosova të jetë organizatore e konferencave të ndryshme të grupeve punuese të komiteteve të ndryshme botërore”, theksoi z. Al Sabah në konferencën për shtyp.

Presidenti z. Al Sabah u pyet edhe për problemin e vizave për sportistët nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, duke sugjeruar federatat që ta njoftojnë ANOC-un me kohë dhe njashtu të kërkohet një lloj marrëveshje e nënshkruar nga shtetet që duan të organizojnë Kampionate të tilla se do të na garantojnë pjesëmarrjen të gjithë sportistëve.

Njeriu i dytë i sportit në botë për nga rëndësia, z. Al Sabah, tregoi këshillën që ia ka dhënë ministrit të MKRS-së, z. Kujtim Gashi, se në stadiumin kombëtar që do të ndërtohet, të bëhet një projekt i plotë për ndërtimin edhe të një kompleksi biznesor.

Presidenti i KOK-ut, z. Besim Hasani e vlerësoi edhe një herë tejet të rëndësishme vizitën e Al Sabahut, që për sportin e Kosovës është vizita e dytë më e rëndësishme pas ardhjes së Thomas Bachut.

“Përvoja dhe eksperienca e tij dhe gjithë ato ide që i kemi shpërblyer gjatë këtyre ditëve, ju garantoj të gjithë qytetarëve, në veçanti njerëz të sportit se kanë qenë

jashtëzakonisht të dobishme. Këta ide janë shkëmbyer edhe në takimet me lideret shtetëror dhe unë besoj së të gjithë kemi përfituar nga prania e Al Sabah”, tha ndër të tjera, z. Hasani.

Al Sabah mori pjesë mbrëmë në Gala Mbrëmjen e organizuar për 3-vjetorin e pranimit të KOK-ut në KON dhe 25-vjetorin e themelimit të KOK-ut, derisa u largua nga Kosova me përshtypje pozitive. /Zëri/