E lë Zvicrën, zgjedh Shqipërinë para Kosovës

Sport December 12, 2017 - 15:44

Shqipëria vazhdon t’i grumbullojë talentet nga Kosova, shkruan sot gazeta Zëri. 

Rasti i fundit është ai i Shkëlqim Demhasajt, sulmuesit kosovar i cili luan në Zvicër.

Në fakt, trajneri Christian Panucci është duke kërkuar lojtarë të rinj dhe perspektivë nga të gjitha trevat shqiptare për ta pasuruar ekipin kombëtar, i cili po mundohet ta ndërrojë gjeneratën duke e pasur parasysh se disa futbollistë i kanë kaluar të 30-at.

“Në muajt në vijim do të jem në kërkim të lojtarëve të rinj. Kam në mendje edhe një sulmues”, kishte deklaruar përzgjedhësi i Kombëtares në një konferencë për shtyp.

Dhe duket se trajneri italian i ka hedhur sytë kah shteti helvetik, në të cilin luajnë më së shumti futbollistë shqiptarë.

Sipas medieve shqiptare, ish-futbollisti i njohur italian ia ka vënë syrin sulmuesit kosovar, i cili këtë sezon me Luzernin ka shënuar 7 gola në 16 ndeshje, pasi është aktivizuar në kampionatin zviceran dhe në Kupën e këtij shteti.

21-vjeçari pritet të jetë pjesë e grumbullimit të radhës me Kuqezinjtë gjatë vitit të ardhshëm.

Luajti për Zvicrën U-21

Demhasaj ishte aktivizuar me ekipin e të rinjve të Zvicrës në dy ndeshje, por së fundmi ka marrë ftesë nga Shqipëria.

Me helvetikët e rinj, respektivisht Zvicrën U-21, ai kishte luajtur në ndeshjet ndaj Uellsit dhe Bosnjë e Hercegovinës.

“Momentalisht, me pranimin e tij, institucioni i futbollit shqiptar është duke e plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që ai të mundë të pajiset me pasaportën shqiptare, në mënyrë që në grumbullimin e radhës të jetë në dispozicion të trajnerit Panucci”, shkruan “Panorama Sport”.

Në fillim vetë futbollisti ka hezituar për të vendosur nëse do të pranonte të vishej kuqezi apo jo.

Më pas ka qenë vetë menaxheri i tij, i cili është interesuar në institucionin e futbollit në vend - FSHF dhe trajnerit të Kombëtares që të mundë të bëhej pjesë e Shqipërisë.

Bëhet fjalë për një sulmues shtatlartë 189 centimetra me intuitë të zhvilluar përpara portës së kundërshtarit.

Pra, Kosova e humbi edhe një talent pas neglizhencës dhe ngecjes së stafit menaxherial, i cili do të duhej të punonte shumë më shumë rreth grumbullimit të lojtarëve më të mirë që ka Kosova në diasporë.

Image

Raste tjera kur Verdhekaltrit i humbën lojtarët e shquar ishin edhe ata të Eros Grezdës dhe Liridon Latifit, të cilët e zgjodhën Shqipërinë para Kosovës edhe pas pranimit të kësaj të fundit në UEFA e në FIFA.

Gjithashtu, Federata e Futbollit të Kosovës po has në vështirësi t’i afrojë edhe futbollistët kosovarë që luajnë për Zvicrën U-17 dhe U-19. /Zëri/