Kosova s’merr pjesë në turneun e më të mirëve në Rusi pasi iu kërkua të garojë pa simbole shtetërore

Sport December 08, 2017 - 10:48

Xhudistet nga Kosova nuk do të marrin pjesë në Mastersin e më të mirëve nga më të mirët, që më 16 e 17 dhjetor mbahet në St. Petersburg të Rusisë, pasi Kosovës i ishte kërkuar të garonte pa simbole shtetërore dhe nën flamurin e Federatës Botërore të Xhudos.

Trajneri i mirënjohur kosovar i xhudos, Driton Kuka, ka njoftuar në një postim në llogarinë e vet zyrtare në Facebook se Kosova sot ka marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Jashtme e Rusisë se nuk do të lejohet të marrë pjesë si shtet në këtë garë, ku ndeshen 16 më të mirët në çdo kategori, transmeton Express.

Kuka ka thënë se nuk do ta pranojnë kërkesën e Rusisë për të hequr dorë nga simbolet e Kosovës në këtë turne.

Ai ka theksuar se Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, të cilat kanë shkëlqyer këtë vit duke rrëmbyer edhe medalje të arta në Grand Prix në Hagë, nuk po lejohen ta përfaqësojnë Kosovën.

“Përfundimisht sot nga Ministria e punëve të jashtme e Rusisë erdh përgjigjja zyrtare që Kosova nuk do lejohet të marr pjesë si shtet në garën ku marrin pjesë 16 më të mirët në çdo kategori -The best of the best!

Po kërkohet të heqim dorë në Rusi prej simboleve shtetërore që të marrim pjesë me flamur të Federatës Botërore të cilen zgjedhje nuk do e pranojmë!

Nora e Distria të cilat shkëlqyen këtë vit në shumë gara e së fundi të arta nga Grand Prix në Hagë nuk po lejohen të prezentojnë shtetin tonë!”, ka shkruar ai. /Express/