Do të jemi kërcënim për çdo skuadër
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp beson se ekipi i tij do të jetë kërcënim për çdo skuadër në fazën e të tetës së Ligës së Kampionëve, transmeton zeri.info
Liverpooli fitoi 7:0 kundër Spartakut të Moskës të mërkurën dhe siguroi kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit më prestigjioz evropian nga vendi i parë i grupit E.
Por, pavarësisht se Liverpooli përfundoi në vendin e parë në grup, shorti mund ta vë përballë Bayern Munichut, Juventusit apo Real Madridit.
I pyetur nëse skuadra e tij do të jetë kërcënim në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve, Klopp u përgjigj: “Nëse paraqitemi si sonte (e mërkurë), nëse jemi kaq efikas, atëherë po”.
“Por, ne kishim të njëjtët lojtarë edhe në ndeshjet e kaluara dhe nuk shënuan. Nëse paraqitemi kështu, atëherë padyshim që do të jemi kërcënim, 100%”, u shpreh Klopp./Zëri