Kosovarët kundër Kosovës!

Sport December 07, 2017 - 11:20
Kualifikimet e Evropianit 2018/19 për grupmoshat U-17 do t’i vënë përballë kosovarët kundër Kosovës. Janë shtatë futbollistë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, që do të luajnë për Zvicrën U-17 kundër Kosovës U-17 në këto eliminatore në kuadër të Grupit 5, ku bëjnë pjesë edhe Skocia e Qiproja. Përzgjedhësi Besnik Kollari thotë se ekipi i tij ua hapi dyert kosovarëve të Zvicrës, por ata nuk i erdhën. Sidoqoftë, Kollari e konsideron të veçantë përballjen me zvicerano-shqiptarët

Përfaqësuesja e Kosovës U-17 do ta ketë një kundërshtar special në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2018/19, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit kanë përfunduar në Grupin 5, në shortin e hedhur të mërkurën në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, së bashku me Zvicrën, Skocinë dhe Qipron.

Dhe, pikërisht përballja me ekipin Helvetik do të jetë e veçantë për “Dardanët” e rinj. E gjithë kjo për faktin se te Zvicra, njëjtë si në ekipin senior, edhe tek U-17-shi luajnë disa futbollistë shqiptarë, kryesisht nga Kosova që do të përballen me Kosovën.

Gjatë vitit 2017, respektivisht nga marsi e deri në nëntor, për Zvicrën U-17 kanë luajtur plot shtatë futbollistë shqiptarë: Orges Bunjaku, Drilon Kastrati, Lorent Tolaj, Bledian Krasniqi, Miralem Amzi, Elis Isufi dhe Jozef Pukaj.

Gjithsesi, njëjtë si për Kosovën, edhe për ta kjo ndeshje do të jetë mjaft e veçantë dhe me ndjenja të përziera, pasi një pjesë e mirë e tyre do të luajnë kundër vendit të tyre.

Shqiptarët e Zvicrës

Shtatë futbollistët shqiptarë që e përfaqësojnë Zvicrën konsiderohen si e ardhme e kësaj përfaqësueseje.

Orges Bunjaku është nga Kosova dhe luan në pozitën e mesfushorit.

Ai është lindur më 5 korrik 2001, në Uznach të Zvicrës dhe është 16 vjeç.

Momentalisht luan për ekipin U-18 të Baselit. Drilon Kastrati po ashtu nga Kosova është mesfushor 16 vjeç (23 tetor 2001) dhe luan në ekipin U-18 të Grasshopperit.

Lorent Tolaj, edhe ai nga Kosova, është sulmues 16 vjeç (23 tetor 2001), ndërsa momentalisht është pjesë e ekipit U-18 të Sionit.

Bledian Krasniqi ka pasaportë zvicerane dhe shqiptare, derisa luan në pozitën e mesfushorit dhe mesfushorit qendror.

16-vjeçari, i lindur më 17 korrik 2001, është pjesë e Zurichut U-18. Edhe Miralem Amzi është nga Kosova, momentalisht 17-vjeçar (31 gusht 2000) dhe luan si mesfushor ofanziv i krahut të majtë.

Ai luan momentalisht te Grasshopperi.

Shqiptari tjetër është Elis Isufi, që është pjesë e Baselit U-18, aktualisht 17 vjeç (21 maj 2000).

Në fund Jozef Pukaj, portier nga Shqipëria i ekipit U-21 të Baselit, 17-vjeçar (13 shkurt 2000).

Gjithashtu, duhet cekur se ndeshjet janë paraparë të zhvillohen prej 26 shtatorit deri më 1 tetor të 2018-s në Qipro dhe ndonjëri prej futbollistëve të lartpërmendur mund ta kalojë moshën e caktuar dhe të mos ketë më të drejtë të luajë për ekipin U-17 të Zvicrës.

Image

Kollari: Me Zvicrën ndeshje speciale, por duam fitore

Përzgjedhësi Besnik Kollari është i vetëdijshëm se ekipi i Kosovës U-17 nuk do të ketë punë të lehtë, por është optimist se “Dardanët” e rinj do ta kalojnë këtë fazë.

Ndërkohë, ai e konsideron si speciale ndeshjen me Zvicrën, e cila përbëhet nga disa futbollistë shqiptarë.

“Normalisht, nuk do të jetë e lehtë për ne, por do të mundohemi të prezantohemi shumë më mirë sesa në kualifikimet e fundit. Do të mundohemi që ta kalojmë këtë fazë me lojtarët e lindur në vitin 2002”, thotë trajneri vushtrrias për “Zërin”.

“Loja me Zvicrën do të jetë speciale pasi luajnë disa futbollistë shqiptarë, por për ne në fushë të gjithë kundërshtarët janë të njëjtë dhe do të mundohemi të fitojmë”, nënvizoi ai.

Kosovarët e Zvicrës e refuzuan Kosovën

Trajneri Kollari është i vetëdijshëm me faktin se janë disa futbollistë kosovarë që luajnë për Zvicrën dhe zbulon se një pjese të tyre i është bërë ftesa për të luajtur për Kosovën, por ata e kanë refuzuar ftesën.

“Ne kemi shikuar dhe i kemi kontaktuar disa futbollistë, por ata preferojnë më shumë të jenë në mesin e 50-70 futbollistëve të Zvicrës sesa të vijnë te ne. E kanë prioritet vendin ku janë lindur e ku janë rritur. Shumica e tyre hezitojnë të vijnë të luajnë për Kosovën. Një pjesë e mirë e tyre presin deri te grupmoshat U-19 e U-21 dhe më pas vendosin, pasi e kanë mundësinë ta ndërrojnë përfaqësuesen deri në U-21”, ka shtuar Kollari. /Zëri/