Presidenti Hashim Thaçi dekoroi presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, me Medaljen Presidenciale të Meritave

Sport December 06, 2017 - 15:26

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar të martën presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani me Medaljen Presidenciale për “Merita të veçanta në sport”.

Presidenti Thaçi tha se e vlerëson lart rolin dhe angazhimin e Hasani prej tri dekadash në zhvillimin dhe pavarësimin e sportit të Kosovës.

“Ju përgëzoj për punën dhe kontributin që keni dhënë në zhvillimin e sportit, anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti i KOK-ut, Hasani e falënderoi presidentin Thaçi për vlerësimin, duke thënë se ky çmim është edhe më i madh, pasi po i jepet nga një personalitet të cilit ia ka lakmi e tërë bota.

I pari i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi u interesua për Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, në të cilat konfirmoi edhe një herë pjesëmarrjen dhe përkrahjen për ekipin olimpik të Kosovës, si dhe Lojërat Olimpike Verore Tokyo 2020.

Image

Presidenti Thaçi ka theksuar se përfaqësimi i Kosovës me sportistë në këto ngjarje është një mundësi shumë e mirë për promovimin e sportit tonë dhe e forcon edhe shtetësinë e Kosovës.

Hasani e informoi në detaje për ekipin olimpik të Kosovës PyeongChang 2018, të cilit do t’i prinë skitari, Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina. Kjo do të jetë hera e parë që Kosova do të marrë pjesë në LOD.

Në fund, Thaçi uroi Hasani për tre vjetorin e pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe përvjetorin e 25-të të themelimit të KOK-ut, me ç’rast u ftua edhe një herë nga Hasani për Gala Mbrëmjen që do të organizohet më 11 dhjetor 2017.