Të mëdhenjtë ia mësyjnë Kupës së Kosovës

Sport December 06, 2017 - 10:19

Sezoni vjeshtor në futbollin kosovar tashmë ka përfunduar, ndërsa klubet do të shkojnë në pushim dimëror menjëherë pas ndeshjeve të rrethit të tretë të Kupës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen në këtë mesjavë.

Në dy xhirot e para të kësaj gare kanë marrë pjesë vetëm ekipet e rangjeve më të ulëta, kurse tani në garë përfshihen edhe skuadrat më të forta të Kosovës, përkatësisht ato të Superligës.

Me këtë nënkuptohet se tash e tutje gara e Kupës do të jetë shumë më interesante dhe më tërheqëse, shkruan sot gazeta Zëri.

Madje me inkuadrimin e klubeve elitare në këtë garë kanë nisur të prodhohen edhe derbit e mëdhenj.

Spikat ndeshja ndërmjet Dritës dhe Feronikelit, e cila zhvillohet të mërkurën në Gjilan.

Të dyja këto skuadra sivjet synojnë trofe, janë kandidate për titull të kampionit, të cilin trofe nuk e kanë aspak të sigurt shkaku i konkurrencës së fortë nga ekipet tjera.

Andaj, Kupa konsiderohet si “shpëtimtare” në përpjekjet e tyre për ta shpëtuar sezonin.

Kështu që Dritës apo Feronikelit do t’i vështirësohen gjasat, varësisht se cila eliminohet nga Kupa.

Andaj, përballja në mes tyre pritet të jetë tejet interesante.

Ndërkohë “pronarja” aktuale e këtij trofeu, Besa, mbrojtjen e Kupës do ta nisë përballë Trepçës ’89.

Kjo e fundit konsiderohet favorite e madhe për të ecur më tutje pasi ekipi pejan është në krizë aq të madhe financiare dhe organizative saqë sivjet po rrezikon shumë seriozisht për të rënë nga Superliga për herë të parë në historinë e vet.

Përballje e madhe do të zhvillohet në Prishtinë ndërmjet dy rivalëve të vjetër të kryeqytetit, Flamurtarit dhe Prishtinës.

Këto dy skuadra numërojnë 35 takime. 20 fitore i kanë takuar Prishtinës, kurse 6 të tjera Flamurtarit. Ndërsa 9 përballje janë mbyllur pa fitues.

Në sezonin vjeshtor Prishtina dhe Flamurtari janë takuar dy herë, ndeshje ato që i ka fituar ekipi Bardhekaltër.

Prishtina historikisht ka bilanc më të mirë sesa Flamurtari edhe në takimet për Kupë. Ato janë takuar tri herë në dy xhiro të Kupës, në të cilat Bardhekaltrit kanë eliminuar Kuqezinjtë.

Këta të fundit do të bëjnë çmos për ta ndërprerë dominimin historik të Prishtinës, kurse Bardhekaltrit do të kërkojnë vazhdimësi.

Kupa është prioritet edhe i Lirisë, e cila misionin do ta nisë ndaj KEK-ut, i cili po “shkel” në Ligën e Parë, gjë që paraqet rrezik serioz për objektivin e prizrenasve.

Ndërsa lideri dhe kandidati më i madh për titull, Llapi, rrugëtimin drejt finales, ku ishte edhe në edicionin e kaluar, do ta nisë në Gjilan, ku Vllaznia e Pozheranit do të tentojë ta befasojë dhe ta eliminojë. Ndeshjet zhvillohen me sistem eliminimi. /Zëri/

Kupa e Kosovës – Rrethi i tretë

E mërkurë

Drita – Feronikeli

Besa – Trepça ’89

Ulpiana – Drenica

Flamurtari – Prishtina

Kosova – Kika

R. Sadiku – Vushtrria

Liria – KEK-u

Rahoveci – Galaksia

Vëllaznimi – Behari

Istogu – Vitia

E enjte

Ballkani – Trepça

Vllaznia (P) – Llapi

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 12:00