Një trajner kampion në pritje të ofertave

Sport December 06, 2017 - 10:13

Derisa Trepça ’89 shumë shpejt pritet të nënshkruajë kontratë me trajnerin portugez që ka shtetësi spanjolle, Jaime Filipe, trajneri i deritanishëm i saj, Gani Sejdiu, e ka sqaruar të ardhmen e tij.

Ai e ka konfirmuar ndarjen me Trepçën ’89, me çka nënkuptohet se strategu kosovar nuk do të jetë bashkëpunëtor i trajnerit të huaj, shkruan sot gazeta Zëri.

Sejdiu nuk e ka udhëhequr ’89-shin në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor ndaj Llapit, pasi ai kishte marrëveshje me “Minatorët” për të bashkëpunuar deri në xhiron e 17-të, kur ishte planifikuar përfundimi i pjesës së parë të kampionatit, por që në ndërkohë ishte vendosur për zhvillimin edhe të një xhiroje tjetër.

Sejdiu tani është i lirë dhe i gatshëm për ta shqyrtuar çdo ofertë që merr. Ai është njëri prej trajnerëve më të respektuar në Kosovë.

Të tillë e kanë bërë trofetë dhe sukseset tjera që i ka shënuar. /Zëri/