Maqedonia bie në duart e Shkëndijës

Sport December 05, 2017 - 15:22

Futbolli i Maqedonisë ka rënë në duart e shqiptarëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Është Shkëndija shqiptare ajo e cila tashmë e ka marrë dominimin e futbollit maqedonas, duke e përmbysur dominimin shumëvjeçar të gjigantit, Vardarit.

Pjesa e parë e kampionatit maqedonas është mbyllur të dielën, ndërsa Shkëndija e ka marrë epitetin e kampiones vjeshtore.

Falë investimeve të mëdha dhe politikave perfekte menaxhuese nga “Ecologu” i biznesmenit të famshëm shqiptar, Lazim Destani, ekipi tetovar “ka shkelur” gjithçka që i ka dalë përpara në sezonin vjeshtor, duke kryesuar e vetmuar dhe e pakonkurrencë në elitën maqedonase.

Shkëndija ka shkuar në pushim dimëror me 46 pikë të tubuara prej tetëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara, duke i regjistruar pesëmbëdhjetë fitore e një barazim dhe vetëm dy humbje.

Skuadra kuqezi e ka lënë shumë prapa gjigantin maqedonas, Vardarin, i cili në sezonin vjeshtor ka përfunduar në vendin e dytë me 14 pikë më pak sesa “Shqiponjat” nga Tetova.

Në këtë mënyrë, Shkëndija ka dhënë shenja të qarta se trofeu i kampionit të këtij edicioni nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që çon në Tetovë, ku “Ballistët” e presin këtë trofe qe tetë vjet.

Shkëndija deri më tani e ka fituar vetëm një titull të kampionit, atë të edicionit 2010-2011.

Ndërsa viteve të fundit ka qenë konkurruese e vazhdueshme, por deri më tani e kishte thuajse të pamundur ta ndalë Vardarin, të cilin megjithatë nuk e linte rehat së ndjekuri.

“Duhen uruar futbollistët për titullin e kampionit vjeshtor. Na mbetet edhe një tjetër pjesë e kampionatit gjatë të cilit Shkëndija duhet të vazhdojë me rezultate të ngjashme, natyrisht pas përgatitjeve që na presin pas përfundimit të këtij sezoni. Në këtë mënyrë besoj se do ta arrijmë qëllimin duke e fituar titullin e kampionit të Maqedonisë”, ka deklaruar trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Edhe pse ekipi i tij stinorin pranveror do ta nisë me 14 pikë më shumë sesa Vardari, Osmani thotë se Shkëndija nuk do ta marrë si të kryer fatin e këtij edicioni, por do të vazhdojë me punë të mëdha.

“Neve nuk na interesojnë ekipet rivale. Neve na interesojnë vetëm fitoret tona”, ka potencuar Osmani, i cili ka thurur lëvdate për dy futbollistët kryesorë të ekipit, Ferhan Osmani dhe Besart Ibrahimi, të cilët po i “shkatërrojnë” portat e skuadrave tjera.

Të dy ata deri më tani i kanë realizuar 30 gola: 17 Hasani dhe 13 Ibrahimi. Ata janë prijësit e Shkëndijës drejt Ligës së Kampionëve.  /Zëri/