Ndarja trokiti

Sport December 04, 2017 - 12:15

Gani Sejdiu nuk është më trajner i Trepçës ’89. Palët i kanë ndarë rrugët pa mbaruar mirë pjesa e parë e kampionatit, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, trajneri mitrovicas nuk e ka udhëhequr ekipin “Xehetar” në barazimin pa gola ndaj Llapit pasi nuk ka udhëtuar fare drejt Podujevës dhe atë e ka zëvendësuar ndihmësi Sabit Osmani.

Trajneri i suksesshëm kishte arritur marrëveshje me kampionin që ta udhëhiqte për disa xhiro, respektivisht deri në fund të stinorit vjeshtor, me mundësi vazhdimi edhe për pjesën e dytë të sezonit.

Mirëpo, jogjithçka shkoi mirë në këtë ribashkim pasi trajneri dhe klubi mitrovicas e mbyllën bashkëpunimin edhe më herët sesa pritej.

“Ne nuk e kemi problemin aspak te trajneri. I besojmë Sabitit (ndihmësit të deritashëm). Ganiu nuk e ka udhëhequr stërvitjen e fundit dhe nuk ka ardhur as në lojë. Ai priste një ofertë për kontratë të re, por ne nuk ia bëmë pasi i kemi idetë e qarta rreth trajnerit të ri”, sqaron për “Zërin” kryetari i ’89-shit, Abedin Zeka.

Ashtu siç kishte zbuluar ditë më parë për “Zërin”, kreu i klubit mitrovicas theksoi se ekipit në përgatitjet në Turqi do t’i bashkëngjitet trajneri portugez Jaime Filipe, por nuk mbesin anash as alternativat e trajnerëve nga Kosova apo nga Shqipëria.

’89-shi nuk e konfirmoi forcën e kampionit këtë sezon duke përfunduar në pozitën e shtatë me 27 pikë, prej tyre 7 fitore, 6 barazime e 5 humbje.

Megjithatë, “Xehetarët” nuk i kanë humbur ende shpresat për të dalë sërish në Evropë.

Zeka ka paralajmëruar edhe 3-4 përforcime gjatë janarit, ndërsa zbuloi se ekipi nuk do të pushojë fare pas mbylljes së stinorit vjeshtor, përpos periudhës së festave të fundvitit, kur pushojnë thuajse të gjitha klubet evropiane.

“Zëri” ka provuar gjatë ditës së diel të kontaktojë me trajnerin Gani Sejdiu, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Zëri/