Kastrati rilind në Zvicër

Sport December 04, 2017 - 12:12

Rilind Kastrati e ka marrë rrugën drejt Zvicrës ditë më parë, ku synon të rilindë, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar e kishte ndërprerë bashkëpunimin me Lirinë e Prizrenit gjatë verës që shkoi, ndërsa tash po synon të bëjë karrierë në shtetin helvetik.

20-vjeçari e kishte nisur karrierën tek ekipi Bardhezi në moshën 9-vjeçare, por në korrik të këtij viti kishte probleme me kryesinë dhe e prishi kontratën me prizrenasit.

Dhe, ditë më parë qendërmbrojtësi, i cili luan edhe në pozitën e mbrojtësit të djathtë, e mori rrugën drejt Zvicrës ku po ushtron intensivisht për ta treguar veten në ndonjërin prej klubeve zvicerane që mund t’ia hapë dyert atij.

“Provat në Zvicër m’i ka mundësuar menaxheri shqiptar nga Maqedonia, Adnan Nevzati. Tani jam në akademinë e Bruno Suter e Georges Graf, dy ish-lojtarë të Baselit dhe ata janë duke më përgatitur fizikisht për të qenë i gatshëm për secilin ekip që më dërgojnë ata, ose të Superligës, ose të ligës së parë zvicerane”, deklaroi fillimisht Rilindi për “Zërin”.

Dhe ai është i bindur se do t’ia dalë mbanë pas sakrificave të mëdha që po i bën duke ushtruar.

“Besoj shumë se do t’i kaloj provat, pasi jam i etur për të treguar se sa vlej”, shprehet tutje ai.

Kastrati tregon se më parë ishte provuar në ekipin Coniz, në ligën e tretë zvicerane, por nuk ka mundur të qëndronte aty pasi klubi nuk ka mundur t’ia siguronte letrat.

Image

Rilindi ishte pjesë e ekipeve Kombëtare U-17 dhe U-19 të Shqipërisë, ndërsa në Zvicër po përgatitet me dy trajnerët e lartpërmendur qe afro 10 ditë.

Dhe, fundjavën që shkoi ai e ka marrë një lajm shumë të mirë.

“Në akademi i kam kaluar provat dhe në janar Bruno Suter dhe Georges Graf do të ma gjejnë një ekip. Prej janarit deri në mars do të ushtroj intensivisht me ta”, përfundoi Kastrati, i cili mezi pret t’i jepet rasti dhe mundësia të provohet në një ekip zviceran, pasi është i vendosur ta fitojë kontratën dhe ta zhvillojë karrierën e tij jashtë vendit, pasi luajti deri sezonin e kaluar me ekipin prizrenas.

Pas luftës janë të paktë futbollistët që kanë depërtuar nga futbolli kosovar në futbollin evropian. /Zëri/