ZYRTARE: Qeveria Haradinaj vendos përfundimisht për lokacionin e Stadiumit Nacional

Sport December 04, 2017 - 11:17

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj, e ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit rreth lokacionit të Stadiumit Nacional të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Pra, ky stadium do të ndërtohet në Drenas. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka paraqitur para Qeverisë së Kosovës lokacionin për ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kombëtares së Kosovës në futboll.

Gashi ka kërkuar që të ndryshohet lokacioni nga Bërnica e Poshtme në zonën industriale të Drenasit, kërkesë kjo që është aprovuar nga Qeveria e Kosovës.

Stadiumi Nacional do të ndërtohet në një hapësirë prej 25 hektarësh në Sankoc të Gllogocit, 14 kilometra larg Prishtinës.

Sipas Ministrit ky lokacion është më i përshtatshëm, për shkak se gjendet në mes të Kosovës dhe nuk ka probleme me shpronësim të pronës, ashtu sikurse po ndodhte në Bërnicë.

Në mars të vitit 2014, Qeveria kishte vendosur të ndërtojë Stadiumin në Prishtinë, në bazë të këtij vendimi, MKRS në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kishte lokalizuar në vitin 2016 vendin në Bërnicë të Poshtme, ndërsa për këtë është pyetur edhe FFK-ja dhe ka dhënë dritën e gjelbër.

Punimet për ndërtimin e Stadiumit Nacional pritet të fillojnë në vitin 2018. /Express/