Kështu i mbylli Trepça dy ndeshjet ndërkombëtare

Sport November 26, 2017 - 19:53

Trepça është eliminuar nga garat evropiane. Skuadra mitrovicase është mposhtur në duelin e dyfishtë nga AHC Potaissa Turda në Challenge Cup, me rezultat të përgjithshëm 49:75, shkruan zeri.info.

“Xehetarët” i zhvilluan të dyja ndeshjet në shtëpi, por kjo ishte e pamjaftueshme për ta që t’i shmangin humbjet.

Rumunët e fituan ballafaqimin e parë me rezultat 35:19, kur edhe e mbyllën çdo dilemë sa i përket skuadrës që do të kualifikohej.

Ata ishin më të mirë qysh në pjesën e parë, të cilën e mbyllën 16:8. 8 golat e Terziqit ishin të pamjaftueshëm që skuadra kosovare ta evitonte këtë disfatë të shtunën.

Ndërkaq, dueli i dytë në mes të këtyre dy ekipeve u luajt të dielën, ku mitrovicasit u mposhtën përsëri, 30:40.

Terziqi prapë ishte më i miri me 9 gola, kurse te rumunët shkëlqeu Thalmaier me 8.

Me këtë rast, Trepça i dha fund eksperiencës evropiane për këtë sezon duke u eliminuar në rrethin e tretë.

Sidoqoftë, vetëm pjesëmarrja në Challenge Cup për mitrovicasit ishte sukses pasi deri javë më parë nuk dihej e ardhmja e ekipit, për shkak të kushteve të vështira financiare. /Zëri/