Revolucioni anglez

Sport November 24, 2017 - 16:59

Liga angleze e futbollit konsiderohet më e pasura në botë. Të ardhurat e klubeve ndër vite kanë pësuar ndryshime të mëdha. Në vitin 1992 Leeds United kishte marrë vetëm 100 mijë funte pas triumfit në ligën angleze. Kurse Chelsea, klubi i cili u shpall kampion në sezonin e kaluar, kishte marrë 39 milionë funte. Londinezët kanë përfituar nga një rritje të të hyrave prej 150,900% në një çerek shekulli, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Kur Chelsea e fitoi ligën angleze në edicionin e kaluar fitoi 39 milionë funte. Kjo ishte vetëm një pjesë e parave të fituara prej një shume të përgjithshme prej 151 milionë funtesh, që përfshijnë edhe të ardhurat nga të drejtat televizive. Ndërsa kur Leeds United fitoi kampionatin anglez, në vitin 1992, kishte marrë një çek prej vetëm 100.000 funtesh. Chelsea përfitoi nga një rritje prej 150,900 % gjatë një çerek shekulli.

Ishte 2 maji i vitit 1992 dhe një javë më herët në Sheffield United, Leeds United kishte siguruar titullin e ligës angleze për herë të parë që prej vitit 1974. Kjo ishte një arritje e madhe për klubin anglez. Gjithashtu ky ishte edicioni i fundit i ligës angleze në formën të cilën e kishim njohur. Pas 104 vjetësh në futbollin anglez paraja kishte hyrë me të madhe.

Derisa pronari i Leedsit, Leslie Silver, po merrte çekun e madh, marrëveshja e re e sponsorizimit të premierligës së re, “FA Carling Premier League”, ishte nënshkruar. Me këtë marrëveshje të re vinin edhe të drejtat televizive që do ta transformonin futbollin anglez.

Leedsi sapo kishte mposhtur Manchester Unitedin në garën për titull të edicionit 1991/1992 dhe para ndeshjes së fundit të sezonit kundër Norwich Cityt, trofeu i vjetër i futbollit anglez i ishte dorëzuar klubit, ashtu siç edhe paratë.

Një vit më vonë Leedsi e përfundoi sezonin në pozitën e 17-të nga gjithsej 22 skuadra dhe ishte vetëm dy pikë larg zonës së rënies. Duket pak sot, por Manchester United fitoi 815.000 funte. Kjo shumë ishte disa herë më e madhe sesa ajo që ishte dhënë 12 muaj më herët.

Liga e re kishte negociuar vetë për të drejtat televizive. Atyre u ishte ofruar një shumë prej 304 milionë funtesh për pesë vjet nga “Sky” dhe “ITV”. Klubet e përfshira ishin mjaft të “nxehta” për këtë gjë.

Kur Leslie Silver kishte marrë drejtimin e Leedsit, në vitin 1981, ai e kishte gjetur klubin në një gjendje të vështirë, ndërsa jashtë fushës kishte pasur probleme me huliganizëm. Silver duhej të investonte në klub një shifër prej 200.000 funtesh pak pasi kishte marrë pronësinë. Silver ishte mjaft i njohur për publikun. Ai ishte një biznesmen lokal, pjesë e një komuniteti hebre në Leeds, i cili kishte dëshirë që ta ndihmonte klubin.

Në vitin 1996 Leeds United ishte marrë nga një firmë e quajtur “Caspian” për 16.5 milionë funte.

Në vitin 1992 Leedsi ishte një klub futbolli me një skuadër, kurse katër vjet më vonë “Caspian” thoshte se dëshironte ta ndryshonte strategjinë e klubit për ta krijuar një lider evropian në shumë aspekte, jo vetëm sportive. Që prej kësaj kohe futbolli anglez është kthyer në formë përfitimi.

Në vitin 1997 ishte nënshkruar marrëveshja e dytë televizive në vlerë prej 670 milionë funteve për katër vjet, ndërsa kjo shumë kishte kapërcyer në 1.2 miliard funte në vitin 2001. Kishte kaluar më pak se një dekadë që prej çekut të famshëm prej 100.000 funtesh. Gjatë kësaj kohe stadiumi “Elliot Road” ishte përmirësuar dhe kishte mirëpritur tri ndeshje të Kampionatit Evropian 1996.

Por përveç shumave të majme, në Angli po ndryshonte edhe shpejtësia dhe ritmi i lojës. Premierliga është liga më e pasur në botë dhe gjithashtu njëra prej më atraktiveve./Zëri