Lituania kërkon që të pastrohet parketi para ndeshjes

Sport November 24, 2017 - 15:12

Sot, kombëtarja e Lituanisë mbajti stërvitjen e vetme në Prishtinë për ndeshjen kualifikuese për Kampionat Botëror, përcjell Klan Kosova.

Ushtrimet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ishin të pazakonta për ta, dhe sipas Delf, një mediumi nga Lituania, kjo stërvitje la përshtypje shumë të çuditshme tek ta.

Pas përfundimit të ushtrimeve, delegacioni i kombëtares mysafire kërkoi nga organizatorët që ta pastrojnë parketin.

“Kushtet janë të njëjta për neve dhe për ta, por ne kërkuam që parketi të pastrohej”, tha duke qeshur Brazys.

“Do të jetë interesante të luajmë në një ambient të këtillë”, tha mes tjerash ai.

Njëri nga basketbollsitët e Lituanisë, Adam Juskevicius, po ashtu e vlerësoi situatën e pazakontë, për të cilën arsyetoi kosovarët se ndoshta kanë mungesë të përvojës, dhe prandaj ndoshta nuk dinë ende se si të merren me një ngjarje të tillë.

Mediumi lituanez përmend edhe çmimin e lirë të biletave karshi standardit të Lituanisë, të cilat në Kosovë janë vetëm tri euro.

Përpos kësaj, një nga ueb-faqet më të mëdha lituaneze, 15 Min, i kishte vënë këtë titull lajmit pas stërvitjes së kombëtares së tyre:

“Para betejës me Kosovën, një stërvitje e çuditshme – parket i pistë, cigare dhe sy kurreshtarë”.

Kosova dhe Lituania ndeshen sonte me fillim nga ora 20:00.