N’dorë të Zotit

Sport November 24, 2017 - 12:10

Në krejt ligat evropiane klubet e dinë paraprakisht se kur fillon sezoni dhe kur përfundon ai. Me këtë rast i bëjnë planet paraprakisht rreth përgatitjeve. Mirëpo në Kosovë ndodh e kundërta. Klubet e këtushme nuk e dinë se kur do të shkojnë në pushim, pra kur do të përfundojë pjesa e parë e sezonit dhe s’mund ta bëjnë asnjë plan, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Ato mbeten peng të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila këtë punë, pra kohën kur do të mbyllet pjesa e parë e kampionatit, e ka lënë në “dorë të Zotit”. FFK-ja ka theksuar se “jetëgjatësia” e stinor vjeshtor do të varet nga moti në ditët në vijim. “Njoftohen klubet dhe opinioni se Komisioni i Garave ka vendosur që garat e stinorit vjeshtor në Superligë do të vazhdojnë deri në javën e 18-të ose të 19-të, varësisht prej kushteve atmosferike që do të mbretërojnë në vendin tonë në javët në vazhdim”, ka njoftuar FFK-ja.

Duraku: Është marri që moti të na diktojë kampionatin

Fahredin Duraku e ka kaluar një periudhë të karrierës si trajner në Turqi dhe në Gjermani. Për këtë atij i duket e pakapshme për trurin dhe e palogjikshme që kohëzgjatja e kampionatit të varet nga moti. “Në Kosovë ka mungesë profesionalizmi, jemi shumë larg futbollit evropian, por edhe atij ballkanik. Këtu nuk ka kushte, edhe pse jemi bërë pjesë të UEFA-s dhe FIFA-s. Është marri që për shkak të motit të mos dihet se kur do të kryhen garat apo edhe të shtyhen ato”, deklaroi për “Zërin” trajneri mitrovicas.

Ai kërkon që fushat ekzistuese në futbollin kosovar të mirëmbahen nga ekspertë të kësaj fushe, në mënyrë që të ruhen për kushte më të vështira klimatike, ndërsa merr model fushat e futbollit në Mitrovicë, të cilat kryesisht janë në gjendje të mirë në të gjitha stinët.

Megjithëkëtë klubet e Superligës ankohen se nuk po mund ta përballojnë orarin e stërngjeshur, pasi në Kosovë ekipet nuk kanë qëndrueshmëri të ballafaqohen me tri ndeshje brenda një jave.

Po ashtu ato ankohen se nuk po mund ta bëjnë më herët rezervimin e hoteleve dhe qendrave sportive në vendet me klimë më të nxehtë, me ç’rast do të kursenin edhe para, duke e pasur parasysh se nuk e dinë se kur do të mbyllet pjesa e parë e sezonit, shkruan "Zëri"

Pra, gjithçka është në dorë të Zotit: në rast se bie borë në ditët apo javët në vazhdim, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së fushave në Kosovë, respektivisht lloçit që do t’i kaplonte fushat, pjesa e parë e sezonit në Superligë do të kryhet më herët. Nëse mbretëron mot i mirë stinori vjeshtor mund të vazhdojë deri në xhiron e 19-të./Zëri