Respekt, pa frikë

Sport November 24, 2017 - 11:22

Përfaqësuesja e Kosovës është e vetëdijshme se sonte e pret një punë jashtëzakonisht e madhe dhe një përballje mjaft e vështirë ndaj Lituanisë në ndeshjen e parë eliminatore për Botërorin 2019. Megjithatë “Dardanët” premtojnë se do ta japin maksimumin nga vetja dhe se do t’ia bëjnë hyzmetin deri në pikën e fundit për të dalë mirë nga dueli që do ta zhvillojnë në Prishtinë. Verdhekaltrit presin mbështetje edhe nga lojtari i tyre i gjashtë, tifozët, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Për Përfaqësuesen e Kosovës sonte fillon një epokë e re. Verdhekaltrit do ta nisin rrugëtimin e tyre në eliminatoret e Botërorit 2019, fazë kjo të cilën do ta shijojnë për herë të parë në histori, pasi e kaluan paraprakisht me sukses fazën parakualifikuese. “Dardanët” nuk patën edhe aq fat në short, ndërsa këtë eksperiencë unike do ta nisin pikërisht ndaj një superfuqie të basketbollit siç është Lituania, të cilën e gostitin sonte në Pallatin e Sporteve, në duelin që fillon në orën 19:00.

Greenberg: S’na shkon mendja për humbje

Përzgjedhësi Brad Greenberg është duke u munduar ta motivojë ekipin për dy duelet e nëntorit, atë ndaj Lituanisë sonte dhe në përballje me Hungarinë të dielën. Edhe pse është i vetëdijshëm me fuqinë e lituanëve, ai siguron se në mendjen e Verdhekaltërve nuk është assesi humbja. Ai premton se “Dardanët” do të mundohen ta bëjnë më të mirën në duelin e sotëm. “Fakti që Kosova është pjesë e 32 kombëtareve, që do të bëjnë gara në kualifikime, do të thotë shumë jo vetëm për basketbollin në Kosovë, por edhe për sportin dhe shtetin tuaj në përgjithësi. Kur ktheheni dhe mendoni se para dy vjetëve nuk keni qenë të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa pas dy vjetëve po luani në kualifikime me shtete shumë të forta, besoj se kjo tregon më së miri për të arriturat në këtë sport”, theksoi fillimisht trajneri amerikan. “Ne jemi pjesë e një grupi shumë të vështirë. Do ta luajmë ndeshjen e parë kundër Lituanisë në shtëpi dhe të gjithë e dimë se për çfarë skuadre bëhet fjalë. Pavarësisht mungesave në përbërjen e tyre, pasi do të luajnë pa lojtarët e NBA-së dhe të Euroleagues, sërish kjo kombëtare në radhët e veta ka lojtarë mjaft të talentuar dhe me përvojë. Ne na mbetet të hyjmë në parket dhe të luftojmë për ta bërë më të mirën. As nuk na shkon mendja të mendojmë për humbje, sepse kështu nuk bëjnë sportistët e mëdhenj e ne jemi të tillë, pra të mëdhenj”, përfundoi ai, shkruan "Zëri". 

Shoshi: Shpresoj t’u bëjmë ballë lituanëve

Lis Shoshi po ashtu e di se Kosova nuk do të ketë punë aspak të lehtë ndaj lituanëve sonte. Megjithatë, basketbollisti kosovar zotohet se ai me shokë do të mundohen t’u bëjnë ballë lituanëve në parket, duke u munduar që të nxjerrin rezultat sa më të favorshëm. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarëve, por ne do të luajmë fort dhe do ta bëjmë më të mirën në fushë. Nuk do të jetë aspak lehtë të përballemi me një superfuqi të basketbollit siç është Lituania, por ne shpresojmë se me ndihmën e shikuesve do t’ia dalim t’u bëjmë ballë lituanëve. Jemi në formë të mirë, të gjithë basketbollistët kemi luajtur shumë ndeshje me ekipet tona, ndërsa tashmë e njohim mirë njëri-tjetrin dhe e tëra që na mbetet është të luajmë sa më mirë dhe t’i kënaqim të gjithë adhuruesit e basketbollit”, thotë Shoshi.

Kosova nuk do të mundë të llogarisë në lojtarin e lënduar Erjon Kastratin, ndërsa Drilon Hajrizi është i suspenduar. Gjithashtu Shawn Jones do të jetë hendikep për Kosovën, pasi ai është arsyetuar se ka nevojë ende për t’u rikuperuar nga lëndimi që e kishte pësuar kohë më parë.

Kualifikimet e Botërorit 2019

Grupi C

E premte

18:15 Polonia – Hungaria

19:00 Kosova – Lituania