Skënderbeu fiton miliona euro në Europa League

Sport November 24, 2017 - 11:08

Skënderbeu i ka humbur gjasat për ta kaluar fazën e grupeve, por mund të krenohet për paraqitjet e saj në Europa League përballë Dinamos së Kievit, Young Boys dhe Partizanit të Beogradit. Krahas dy humbjeve, klubi i madh shqiptar i ka regjistruar dy barazime, ndërsa të enjten mbrëma e befasoi gjigantin nga Kievi, duke e mposhtur me rezultat 3:2, shkruan "Zëri".

Pjesëmarrja e sivjetme në Europa League e ka bërë Skënderbeun klub milioner. Vetëm fitorja ndaj Dinamos së Kievit i ka sjell në Korçë 360 mijë euro.

Në fakt, Skënderbeun e kanë pasuruar edhe dy barazimet e mëhershme. Deri më tani gjiganti shqiptar i ka tubuar pesë pikë, të cilat në arkë ia kanë sjell në total 600 mijë euro, raporton "Zëri".

Ndërkohë, parat më të mëdha ia kishte sjell kualifikimi në fazën e grupeve, për çka UEFA e kishte shpërblyer me 2.6 milionë euro. Ndërsa, fitoret në kualifikimet për Europa League e kishin pasuruar Skënderbeun edhe me 675 mijë euro tjera. Kështu, brenda një edicioni nga arka e UEFA-s në xhirollogarinë e Skënderbeut janë transferuar gjithsej 3.8 milionë euro. /Zëri/