Një rrugë e dy punë

Sport November 23, 2017 - 12:58
Skuadrat kosovare të hendbollit e kanë gjetur një “ilaç” për ta luftuar sadopak krizën financiare. Për t’i reduktuar shpenzimet nga dy ndeshje evropiane ndaj të njëjtit kundërshtar po i zhvillojnë brenda ose jashtë Kosovës, duke iu shmangur kështu sistemit normal shkuarje-ardhje. Kjo për shkak se ashtu-kështu nuk shohin shpresë për t’i mundur kundërshtarët e huaj

Skuadrat kosovare gjenden në krizë të thellë financiare në pjesën më të madhe të sporteve, shkruan sot gazeta Zëri.

Me gjendje të tillë përballen edhe ekipet e hendbollit, sidomos ato të femrave.

Një pjesë e mirë e tyre mezi mbijetojnë e disa të tjera, të cilat kualifikohen në gara evropiane, u shtohen hallet dhe brengat pasi u nevojitet buxhet më i madh për pjesëmarrje në këto gara.

Megjithatë, ato e kanë gjetur ilaçin se si ta sfidojnë krizën financiare dhe shpenzimet disafish më të mëdha, të cilat u nevojiten për t’u ballafaquar me kundërshtarët evropianë.

Ato i kanë rënë në fije dhe në marrëveshje me ekipet kundërshtare i zhvillojnë të dyja ndeshjet në garat e EHF-it ose në shtëpi, ose jashtë Kosovës brenda 24 orëve.

Një gjë të tillë këtë sezon e ka bërë Shqiponja (femrat) dhe së fundmi Istogu (femrat), me qëllim të reduktimit të shpenzimeve.

Një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe Trepça (meshkujt) në këtë fundjavë.

Trajneri i Istogut, Faruk Shala, thotë se ekipi i tij e ndoqi këtë “trend” për t’u shmangur shpenzimeve të fryra për ekipet kosovare, të cilat nuk mund t’i përballojnë ato.

“Kemi vendosur që të dyja ndeshjet t’i zhvillojmë në Holandë për të kursyer, pasi kostoja e organizimit të ndeshjes është e lartë. Dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve në udhëtim na ka kushtuar përgjysmë më lirë kjo përballje me holandezët”, u shpreh për “Zërin” trajneri istogas.

“Ne nuk kemi palestër ende në Istog dhe kundërshtari ishte shumë i fortë dhe realisht nuk kishim gjasa ta eliminonim. Prandaj, e pamë më të arsyeshme që të shkonim dhe t’i zhvillonim të dyja ndeshjet atje pasi ekipi Virto/Quintus nuk pranoi t’i luante të dyja takimet në Kosovë, edhe pse ua propozuam një ide të tillë”, vazhdoi ai.

Sipas tij, megjithatë e rëndësishme është se Istogu debutoi në Evropë dhe këtë e konsideron si arritje historike.

Shala më tutje shton se istogasit në çdo sezon ngrihen më lart në cilësi dhe në nivel, prandaj synojnë ta vazhdojmë këtë trend edhe në të ardhmen.

“Do të mundohemi të marrim pjesë vazhdimisht në garat evropiane dhe shpresojmë të kryhen punimet në palestër, në Istog, dhe të luajmë në shtëpi nga sezoni i ardhshëm. Kjo do të ishte diçka speciale dhe e madhe për qytetarët e komunës sonë, pasi deri më tash nuk e kishim një mundësi të tillë në asnjë sport”, përfundoi ai.

Gjinovci: Ky është bërë një “trend” evropian

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) thotë se ky “trend” po përdoret edhe nga klubet tjera evropiane.

“Normalisht, kjo është një mënyrë për t’i reduktuar shpenzimet. Por kjo nuk ndodh vetëm me klubet kosovare pasi gati të gjitha klubet evropiane i kanë zhvilluar ndeshjet në këtë mënyrë”, thotë për gazetën sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci. /Zëri/