Luboteni e nis me humbje

Sport November 22, 2017 - 22:16

Luboteni e ka nisur me humbje eksperiencën në CEV Cup në volejboll, shkruan "Zëri".

Skuadra më e mirë kosovare për momentin në konkurrencën e meshkujve, e cila ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve në fillim të këtij sezoni, u përball sonte në sallën “Omnisportcentrum APELDOORN” në qytetin Apeldoorn me skuadrën e fuqishme holandeze, Draisma Dynamo Apeldoorn, nga e cila u mposht në prani të 450 shikuesve të pranishëm me rezultat të pastër, 3:0 në sete.

Vendësit e fituan me lehtësi setin e parë, 25:11 për 22 minuta, ndërsa atë të dytë e fituan për të njëjtën kohë (22 minuta), por këtë radhë 25:16.

Seti i tretë ka qenë i nivelizuar dhe holandezët e fituan atë 26:24 për 28 minuta.

Kjo ndeshje zgjati 72 minuta dhe mikpritësit fituan me rezultat të përgjithshëm të pikëve, 76:51.

Pas kësaj humbjeje, Luboteni ka pak gjasa për ta përmbysur rezultatin, edhe pse do t’ia bëjë hyzmetin në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në palestrën e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj. /ZËRI/