Provojmë të fitojmë ndaj Lituanisë

Sport November 22, 2017 - 12:45
Përfaqësuesja e Kosovës i ka vazhduar përgatitjet për ndeshjet ndaj Lituanisë dhe Hungarisë, të vlefshme për kualifikimet e “Botërorit 2019”. Trajneri Brad Greenberg thotë se pjesëmarrja në këtë fazë është diçka speciale për Kosovën. Mirëpo ai insiston se Verdhekaltrit nuk do të kënaqen me kaq, pasi do ta bëjnë më të mirën për të nxjerrë rezultate pozitive në dy ndeshjet e nëntorit. Edhe basketbollistët Lis Shoshi dhe Scott Bamforth shprehen optimistë para këtyre dueleve

Përfaqësuesja e Kosovës është duke e shijuar momentin jetësor, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit, pasi e kaluan fazën parakualifikuese, këtë të premte e nisin fazën me peshë – atë të eliminatoreve të “Botërorit 2019” të basketbollit.

Skuadra është grumbulluar të hënën dhe po ushtron nga dy herë në ditë deri të premten paradite kur do ta zhvillojë seancën e fundit stërvitore para duelit me Lituaninë, i cili luhet po të njëjtën ditë, nga ora 19:00.

Trajneri Brad Greenberg e ka marrë një lajm të keq të martën, pasi basketbollisti Erjon Kastrati ka pësuar lëndim me skuadrën e tij në Slloveni dhe nuk do të mundë ta ndihmojë Kosovën në dy ndeshjet e nëntorit.

Krahas tij do të mungojë edhe Drilon Hajrizi, i cili është suspenduar përkohësisht nga Përfaqësuesja.

Greenberg: Maksimumin ndaj lituanëve dhe hungarezëve

Përzgjedhësi Brad Greenberg së bashku me basketbollistët Lis Shoshi e Scott Bamforth janë paraqitur të martën në konferencë për shtyp, ku kanë folur për dy duelet e ardhshme të Kosovës.

Trajneri amerikan është i vetëdijshëm me fuqinë e kundërshtarëve, por premton se Kosova do ta japë maksimumin dhe do ta bëjë më të mirën për t’u prezantuar sa më mirë ndaj lituanëve dhe hungarezëve.

“Basketbolli në Kosovë është në mesin e 32 ekipeve evropiane elite dhe kjo është diçka shumë speciale dhe është falë këtyre lojtarëve nga puna e bërë në muajin gusht. Natyrisht, ne e kemi përcjellë Lituaninë në EuroBasket, por një numër i këtyre lojtarëve nuk do të jenë pjesë e këtij ekipi. Ne i kemi parë lojtarët të cilën do të jenë pjesë e këtij ekipi dhe e dimë talentin e tyre, ekipin e tyre që është shumë nacional. Madje, disa prej tyre janë më të mirët në ligën e tyre. Është një sfidë për neve që të jemi në nivelin e tyre”, deklaroi Greenberg, i cili e quan hendikep të madh mungesën e Kastratit.

“Kjo sfidë u bë edhe më e vështirë kur mbrëmë Erjon Kastrati e ka lënduar kyçin e këmbës në lojën e tij të fundit në Slloveni dhe nuk do të jetë në gjendje që të luajë me ne. Pra, ne duhet të luajmë kundër dy ekipeve shumë të mira me minus një lojtar dhe ne të gjithë ndihemi keq për Erjonin sepse ai ilustron shpirtin dhe zemrën e lojtarit të Kosovës. Ai na mungon ne. Por, djelmoshat që i kemi do ta bëjnë më të mirën dhe jam krenar që e kam mundësinë të punoj me ta në këtë periudhë dhe të shohim nëse do të mundë të bëjmë basketboll të mirë kundër dy ekipe shumë të mira”, vazhdoi Greenberg.

Bamforth: Për Kosovën kjo është një arritje e madhe

Scott Bamforth do të mundohet ta ndihmojë Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen e tij të dytë si Verdhekaltër.

Amerikani thotë se për këtë ekip është privilegj të luajë në këtë garë dhe premton maksimumin ndaj lituanëve.

“Siç e tha edhe trajneri, është një arritje për Kosovën të jetë pjesë e 32 ekipeve më të mira. Ne do të na mungojë njëri ndër lojtarët kyç (Kastrati), por ne do të vazhdojmë, do të bëjmë aq sa mundemi dhe do ta japim më të mirën që mundemi. Turma e njerëzve është atje për të na mbështetur dhe mendoj se kjo do të na ndihmojë shumë. Jam shumë i emocionuar për këtë mundësi dhe mendoj se të gjithë jemi”, u shpreh ai.

Edhe qendra e Kosovës, Lis Shoshi, e vlerëson të vështirë përballjen me Lituaninë, por beson se bashkëlojtarët e tij do ta japin maksimumin në këto ndeshje.

Dy ditë pas lojës me Lituaninë, respektivisht më 26 nëntor, Kosova do të luajë me Hungarinë në Debreceni. /Zëri/