Të motivuar për Lituaninë

Sport November 21, 2017 - 14:02

Përfaqësuesja e Kosovës është më e motivuar se kurrë para ndeshjes së parë kualifikuese për Botërorin 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit janë grumbulluar të hënën dhe e kanë mbajtur seancën e parë stërvitore para ndeshjes të së premtes, kur do ta presin Lituaninë në shtëpi në kuadër të Grupit C.

Në stërvitjen e djeshme kanë munguar: Erjon Kastrati, i cili do t’i bashkohet ekipit sot për shkak se të hënën kishte ndeshje me skuadrën e tij, derisa Scott Bamforth dhe Ergin Grosha do të jenë pjesë e grumbullimit në stërvitjen e pasdites.

Përfaqësuesja prej 20 deri më 23 nëntor do t’i zhvillojë nga dy seanca stërvitore në ditë, derisa në ditën e ndeshjes Kosova do ta mbajë një stërvitje në orët e paradites.

Greenberg: Do të luftojmë për të fituar

Përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg, është shprehur i lumtur që Përfaqësuesja do të jetë pjesë e kësaj gare prestigjioze të FIBA-s, por në të njëjtën kohë ka theksuar se tash ekipin e tij e pret një punë dukshëm më e madhe se ajo gjatë verës.

“Jam i emocionuar t’i shoh basketbollistët që kanë arritur të jenë pjesë e kualifikimeve. Do të përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Të gjithë e dimë që Lituania është kundërshtar i vështirë, por ne do ta kërkojmë rastin tonë. Nuk do të paraqitemi në parket vetëm sa për të luajtur, kjo gjë është më se e sigurt, por do të luftojmë për të fituar. Shpresoj që palestra të jetë e stërmbushur për këtë ndeshje, sepse kemi nevojë për përkrahjen e tifozëve tanë të flaktë, por edhe sepse për lojtarët tanë kjo është shumë e rëndësishme. Duam ta bëjmë të pamundurën dhe do ta japim maksimumin nga vetja si në duel me Lituaninë, ashtu edhe me Hungarinë në Debrecen”, u shpreh trajneri amerikan.

Berisha: Do ta japim më të mirën për të befasuar

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha, ka deklaruar se është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarëve të grupit, por ai ka shtuar se Verdhekaltrit nuk do të dorëzohen dhe se do të luftojnë nga minuta e parë e deri te ajo e fundit.

“Realisht nuk jemi favoritë, Lituania ka traditë në basketboll dhe të gjithë e dimë këtë. Është skuadra më e fortë në grup, pavarësisht mungesave në përbërje të lojtarëve. Ne do të mundohemi ta japim më të mirën nga ana jonë për t’i befasuar dhe për të bërë diçka të madhe për vendin tonë. Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë, megjithatë ne do të luftojmë jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjithat”, deklaroi basketbollisti më i mirë kosovar.

Berisha e kërkon mbështetjen e tifozëve, të cilët i konsideron si armën më të fortë të Përfaqësueses. /Zëri/