Italia, garë mes 4 kandidatëve për selektor të ri

Sport November 21, 2017 - 12:45

Brenda 90 ditëve, në Federatë pritet të mbahen zgjedhjet për presidentin e ri të këtij institucioni, ndërkohë që afati i caktimit të trajnerit të ri të përfaqësueses italiane është pikërisht muaji qershor i viti të ardhshëm.

Futbolli italian është në momentin më delikat të tij.

Me Allegrin, Spallettin e Capellon, që e përjashtuan veten nga kjo garë, kandidaturat e besueshme që mbeten janë ato të Ancelottit, Contes, Mancinit dhe Ranierit.

Ancelotti është emri më i përmendur, kjo për faktin se ai është i vetmi që nuk ka një skuadër, edhe pse Bayern Munchen do të vazhdojë ta paguajë deri në qershor.

Ancelotti, që para disa ditësh e refuzoi propozimin e Tavecchios, pretendon një projekt serioz dhe dëshiron të ketë dorë të lirë për gjithçka. Të zgjedhë ai vet stafin me të cilin do të punojë, si dhe të ketë një pagë më të lartë, raporton “Top Channel”.

Për sa i përket Contes, ky i fundit ka një kontratë me Chelsean deri në vitin 2019 dhe ajo palë që ndërpret përpara kohe bashkëpunimin do të jetë e detyruar të paguajë një shumë të majme në formën e dëmshpërblimit.

Claudio Ranieri nuk do ta refuzonte një propozim të mundshëm për të drejtuar Italinë, përkundrazi do të pranonte menjëherë, pasi sipas tij do të ishte diçka e merituar.

Kandidatura e fundit është ajo e Mancinit, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë ëndrrën e tij për t’u ulur në pankinën e “të kaltërve” dhe është gati të lërë pa shumë keqardhje stolin e Zenitit.