Shqiptarët e Botërorit, krenaria jonë!

Sport November 20, 2017 - 13:46
Kosova dhe Shqipëria nuk kanë arritur të kualifikohen në Kampionat Botëror asnjëherë, por shqiptarët i kanë pasur gjithmonë përfaqësuesit e tyre në këtë eveniment prestigjioz. Edhe në “Botërorin 2018” shqiptarët do të jenë prezentë. Në Rusi pritet t’i shohim shtatë futbollistë shqiptarë, të cilët do t’i përfaqësojnë vendet tjera: Shkodran Mustafi do të luajë për Gjermaninë, Riza Durmishi për Danimarkën dhe Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka për Zvicrën

Kosova dhe Shqipëria do ta shohin Kampionatin Botëror përmes televizorit pasi nuk kanë arritur të kualifikohen në këtë eveniment prestigjioz të futbollit.

Mirëpo, shqiptarët nuk do të mungojnë as kësaj radhe në Botëror, sikur edhe herëve të kaluara, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, ne do t’i kemi ambasadorët tanë edhe në Rusi, të cilët do t’i përfaqësojnë vendet tjera, por që një pjesë të hises do ta kenë edhe shqiptarët.

Në “Russia 2018” pritet të jenë së paku shtatë futbollistë shqiptarë: Shkodran Mustafi do ta përfaqësojë Gjermaninë, Riza Durmishi do të luajë për Danimarkën, si dhe Zvicra që pritet të përfaqësohet me më së shumti shqiptarë, pesë sosh: Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

Sejdiu: Shqiptarët mburren me këta lojtarë

Gani Sejdiu thotë se shqiptarët mburren me futbollistët e lartpërmendur, të cilët janë një lloj ambasadori për ne në Botëror, edhe pse këtij të fundit do t’i mungojnë Përfaqësuesja e Kosovës dhe Kombëtarja shqiptare.

“Ne si shtet i vogël momentalisht nuk mund të presim të jemi pjesë e Botërorit, por gjithmonë e kemi mburrjen individuale. Në Kosovë e kemi xhudon me Majlinda Kelmendin, ndërsa në diasporë po na bëjnë të mburremi lojtarët që po marrin pjesë në Botëror. Do të jenë 7 apo 8 lojtarë, për të cilët do të bëjmë tifo dhe do të jetë motiv shtesë dhe një arsye më shumë që ta përcjellim më me vëmendje Botërorin. Kjo është një arritje e madhe për ta”, deklaroi Sejdiu për “Zërin”, i cili mendon se shqiptarët kanë potencial të madh në futboll.

Mustafi e kërkon Botërorin e dytë

Shkodran Mustafi u bë shqiptari i parë që e fiton Botërorin duke triumfuar me Gjermaninë në “Brazili 2014”.

Tash futbollisti shqiptar nga Maqedonia, i cili është bërë lojtar i rëndësishëm i ekipit gjerman, synon ta përsërisë suksesin paraprak, duke fituar medalje edhe në Botërorin e Rusisë.

Behrami, rekordmeni shqiptar

Valon Behrami është rekordmen absolut i shqiptarëve.

Futbollisti i Udineses do të bëhet shqiptari i parë që do të luajë në Botëror për herë të katërt, pasi e përfaqësoi Zvicrën në Botërorin 2006, 2010, 2014 dhe vitin tjetër në atë 2018. Thjesht, i jashtëzakonshëm.

Botërori i parë i Durmishit

Riza Durmishi pritet të debutojë në një Kampionat Botëror. Futbollisti kosovar debutoi për Danimarkën në vitin 2015 dhe tash është bërë pjesë e rregullt e kësaj përfaqësueseje.

Ai po luan me sukses në Spanjë me Real Betisin, ndërsa viti 2018 pritet të jetë special për karrierën e tij pasi do ta shijojë për herë të parë ndjenjën e të luajturit në Botëror.

Zvicra, “rrush” me shqiptarë

Përfaqësuesja e Zvicrës “mbahet” nga futbollistët shqiptarë pa të cilët nuk ka të gjallë.

Ata kontribuuan në kualifikimin e radhës të ekipit “Helvetik” në Botëror dhe pritet të jenë me një numër të madh në Rusi.

Në fakt, zviceranët pritet të përfaqësohen nga pesë futbollistë shqiptarë në Botëror.

Bëhet fjalë për Valon Behramin, Blerim Xhemailin, Admir Mehmedin, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në ekipin zviceran viteve të fundit. /Zëri/