Grumbullohet Përfaqësuesja e Kosovës

Sport November 20, 2017 - 13:06

Përfaqësuesja e Kosovës sot, me fillim nga ora 10:00, në Pallatin e Sportit në Prishtinë do ta mbajë stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve katërditore për kualifikimet e botërorit “Kina 2019”.

Përfaqësuesja prej datës 20 deri më 23 nëntor do t’i zhvillojë nga dy seanca stërvitore në ditë derisa në ditën e ndeshjes Kosova do ta mbajë një stërvitje në orët e paradites, shkruan sot gazeta Zëri.

Në anën tjetër kontingjenti lituan do të arrijë në Prishtinë më 23 nëntor, ndërsa do ta zhvillojë vetëm një seancë stërvitore dhe atë në ditën e ndeshjes në orët e paradites.

Ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë do të zhvillohet më 24 nëntor nga ora 19:00 në Prishtinë dhe i takon Grupit C.

Një ditë pas kësaj ndeshjeje Kosova do të udhëtojë për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese më 26 nëntor. /Zëri/