Bekim trajneri

Sport November 18, 2017 - 11:38

Bekim Kastrati ka bërë karrierë të shkëlqyeshme si futbollist, duke luajtur me sukses në futbollin gjerman, ndërsa ka qenë përkohësisht edhe pjesë e Kombëtares Shqiptare, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mirëpo viteve të fundit ai është marrë me shkollim si trajner dhe tash ka nisur t’i korrë rezultatet e para. Ish-futbollisti pejan së fundmi është emëruar trajner në ekipin SV Lurrip, që bën pjesë në kategoritë më të ulëta të futbollit gjerman.

Dhe debutimi i tij ka qenë mjaft i suksesshëm. Ai madje e ka nisur zejen e re me një fitore të thellë prej 5:1. “Natyrisht ishte një debutim i madh, por kemi natyrisht punë të madhe brenda nesh”, thotë 38-vjeçari, i cili gjatë karrierës ka luajtur për shumë klube, madje edhe në Bundesligën Gjermane.

Skuadra e tij e fundit ishte SC Rheindahlen, ku i ka marrë edhe hapat e parë si trajner.

“Kohëve të fundit nuk kam qenë aktiv pasi jam marrë me licencat e trajnerit dhe kam punuar në skuadrat e të rinjve. Në fund e kam marrë një ofertë që të promovohem si trajner i DFB-së, me fokus talentet nga Monchengladbachu. Atje jam zbavitur shumë”, shtoi trajneri i ri kosovar.

Më pas atë e ka kontaktuar drejtori sportiv i Lurrip, Marc Ferfers dhe Kastrati e kishte pranuar ofertën me kënaqësi. “Natyrisht unë i kam shikuar ndeshjet e Lurrip dhe kisha kontakte me zyrtarët e klubit. Nga propozimi i kryesisë së klubit për ta marrë në dorë ekipin kam mbetur paksa i befasuar. Kemi arritur marrëveshje të shpejtë”, zbulon ai.

“E kam marrë një mbështetje të shkëlqyer nga ambienti në këtë klub qysh në ditët e para dhe kjo është mjaft e rëndësishme për mua”, tregon Kastrati, i cili njëkohësisht punon si menaxher në një kompani që operon në sektorin e energjetikës.

I lumtur me fitoren e parë

Kastrati i kishte vetëm tri ditë në dispozicion për ta përgatitur ekipin për ndeshjen e parë nën drejtimin e tij. “Ishte një fillim ideal me fitore 5:1 në Bruggen dhe natyrisht ishim të gjithë të lumtur për këto tri ditë, por më e rëndësishme është se Lurrip është paraqitur si skuadër. Fitorja e parë është e bukur, por kemi ende shumë punë”, shprehet Kastrati, i cili thotë se djelmoshat mund të zhvillohen edhe më shumë në lojën e tyre.

Trajneri kosovar është i vendosur që Lurripin ta dërgojë sa më lart të jetë e mundur në tabelë. Qysh të dielën lojtarët e tij duhet ta vërtetojnë se fitorja në Bruggen nuk ishte vetëm një rastësi. Ai shpreson t’i shkojë mirë kjo eksperiencë dhe të ngrihet gradualisht në karrierë si trajner, njëjtë siç kishte bërë në periudhën kur ishte futbollist.

Njëjtë si Kastratit, në futbollin gjerman po i ecën puna mirë si trajner edhe ish-futbollistit tjetër kosovar Shqipran Skerajt, i cili po i radhit fitoret një pas një me ekipin e tij ATSV Erlangen.