Vazhdon gara e nxehtë

Sport November 17, 2017 - 09:10

Pas një pauze disaditore shkaku i miqësores së Përfaqësueses së Kosovës ndaj Letonisë (4:3), të premten dhe të shtunën do të vazhdojnë garat e Superligës së futbollit kosovar. Në fakt do të zhvillohet xhiroja e 15-të kampionale, e cila do të sjellë përballje shumë interesante, ashtu siç ka ndodhur në javët e kaluara, të cilat tashmë e kanë prodhuar një garë të fortë dhe interesante, ani pse cilësia vazhdon t’i mungojë nivelit të dëshiruar, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Vëllaznimi dhe Gjilani janë dy skuadrat më simpatike të këtij stinori, të cilat janë bërë “arra” të forta për të gjitha ekipet tjera rivale elitare. Dhe, të premten do të ndodhë përballja në mes tyre. Ekipi i Ismet Munishit do ta presë në Gjakovë Gjilanin e Arbnor Morinës, i cili tashmë është kandidat i konfirmuar për titullin e kampionit. Gjilanasit aktualisht janë në vendin e tretë të Superligës me vetëm tri pikë më pak sesa kryesuesi, Llapi. Andaj natyrisht se ata do ta kërkojnë fitoren si mysafirë të Vëllaznimit për ta vazhduar ecurinë drejt objektivit. Mirëpo ky mision i gjilanasve nuk do të jetë lehtë i arritshëm, pasi përpos që luan në Gjakovën e nxehtë nga tifozët, do të ketë punë me një ekip që tashmë është dëshmuar mjaft i fortë. Pavarësisht krizës ekonomike dhe investimeve të vogla, Vëllaznimi ka arritur t’i tubojë 21 pikë, vetëm pesë më pak sesa lideri elitar. Mirëpo kuqezinjtë nuk e kanë synim titullin, por primare e kanë mbijetesën në Superligë pa luajtur në barazh dhe në plan të dytë kanë një pozitë sa më të mirë. Kështu që çdo pikë e fituar ndaj fuqisë së Gjilanit do të ishte sukses për kuqezinjtë. Ndeshje tejet interesante pritet të zhvillohet në Skenderaj, ku Drenica sfidon kandidaten e madhe për titull, Prishtinën. Kjo e fundit aktualisht është e dyta në tabelë me vetëm një pikë më pak sesa Llapi, kështu që do të bëjë çmos për të fituar përballë kuqezinjve në mënyrë që ta ruajë hapin apo edhe që ta rrëmbejë vendin e parë. Kurse Drenica ka mungesë të pikëve në krahasim me objektivat e saj, kështu që do të tentojë ta befasojë ekipin prishtinas siç ka dituar ta befasojë edhe më herët. Ndërsa Flamurtari ka shans të mirë t’i japë fund krizës së rezultateve pasi do të luajë si vendas ndaj ekipit në krizë ekonomike e të rezultateve, Besës, e cila sivjet do të ishte e kënaqur nëse mbijeton në Superligë.

Kurse të shtunën zhvillohen dy përballje tepër të mëdha në mes katër pretendentëve për titull. Në Podujevë Llapi do të ballafaqohet me Feronikelin, që po gëzon formë të mirë dhe kanë dallim prej katër pikësh. Kurse dueli tjetër i madh do të zhvillohet në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Lirisë, të cilat kanë nga katër pikë më pak sesa kryesuesi llapjan.

Superliga – Xhiroja e 15-të

E premte

Vëllaznimi – Gjilani

Prishtina – Drenica

Flamurtari – Besa

E shtunë

Drita – Liria

Llapi – Feronikeli

Trepça ’89 – Vllaznia (P)

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00