Donjeta humb Botërorin në ambasadë

Sport November 17, 2017 - 09:04

Donjeta Sadikut i kanë shkuar huq përgatitjet njëvjeçare. Njëra prej sportisteve më të mira të Kosovës nuk do të mundë të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për të Reja të boksit pasi qeveria e Indisë ka refuzuar ta pajisë atë me vizë. Përpjekjet e panumërta të krerëve të sportit kosovar, por edhe të atij botëror kanë qenë të kota pasi indianët, që nuk e njohin shtetin e Kosovës, kanë qenë të prerë në vendimin e tyre duke e bërë atë të përlotet. Për të mos i ndodhur një rast i tillë në të ardhmen, boksierja nga Gollaku ka trokitur në dyert e Shqipërisë për ta marrë pasaportën shqiptare, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Sportistët kosovarë vazhdojnë të mbesin peng të politikës. Problemet me viza po i shoqërojnë ata që nga paslufta e deri më sot, edhe nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 3 vjet pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë Ndërkombëtar.

Këtij problemi së fundmi ia ka parë sherrin Donjeta Sadiku. Djersa e derdhur për muaj të tërë në stërvitje dhe përgatitja intensive do t’i shkojnë huq asaj. Boksierja më e mirë kosovare ka mbetur pa pjesëmarrje në Kampionatin Botëror për të Reja shkaku i vizës.

Në fakt, qeveria e Indisë, ku do të mbahet ky eveniment nga 19 deri më 26 nëntor, ka refuzuar ta pajisë me vizë boksieren nga Gollaku, e cila e përlotur dhe e dëshpëruar do ta shikojë këtë eveniment prestigjioz përmes televizorit.

Edhe pse ditëve të fundit janë ngritur në këmbë i madh e i vogël, vendimi i indianëve duket i prerë. Përpjekjet e panumërta të Federatës së Boksit të Kosovës, Federatës Evropiane dhe Botërore të Boksit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe atij Ndërkombëtar kanë qenë të paefektshme. Madje, as Komitetit Olimpik Indian nuk ka mundur ta bindte qeverinë e këtij vendi.

Donjeta e shkatërruar: Ushtrova një vit për këtë Botëror

Donjeta Sadiku nuk e kishte menduar kurrë që viza do të bëhej shkak që t’i mohohet pjesëmarrja në një Botëror. Ajo ndihet e dëshpëruar dhe pa motiv, për faktin se ndihet e pafuqishme për të ndryshuar diçka.

“Vetëm për pjesëmarrje në Botëror kam ushtruar një vit. Jam e dëshpëruar dhe e lënduar njëkohësisht. Do të më duhet kohë për ta gjetur motivin e humbur momentalisht. Unë kam punuar fort dhe besoj se do të bëhesha kampione e botës këtë radhë, në mënyrë që vendit tim t’ia sillja një medalje të artë”, ka thënë 18-vjeçarja e shkatërruar psikikisht.

Brahimi: Deri kur do të jenë të izoluar sportistët kosovarë?

I dëshpëruar me lajmin e marrë nga India ka mbetur edhe trajneri i Donjetës, Besim Brahimi. Ai e konsideron këtë vendim të padrejtë dhe insiston se është mëkat që një sportisteje kulmore t’i mohohet një e drejtë elementare.

“Donjeta është jashtëzakonisht e zhgënjyer. Është bërë mund e sakrificë për të arritur deri këtu e tash i mohohet kjo gjë shkaku i vizës. Deri kur do të jenë të izoluar sportistët kosovarë?”, është shprehur trajneri i suksesshëm kosovar.

Selimi: India na humbi një medalje

Presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), Ramadan Selimi, ka mbetur i tronditur me vendimin e qeverisë indiane. Ai thotë se ky shtet e la Kosovën pa një medalje të mundshme, të cilën synonte ta fitonte Donjeta, e cila në të kaluarën është shpallur nënkampione botërore dhe kampione evropiane për të reja.

“Donjeta i ka bërë të gjithë përgatitjet për të marrë pjesë në Botëror. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet duke e kontaktuar Federatën Evropiane dhe Botërore të Boksit, por edhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, por qeveria e Indisë nuk e ka parë të arsyeshme që ta pajisë me vizë Donjetën. Ky është një diskriminim ndaj sportit, në këtë rast ndaj kësaj vajze të shkëlqyeshme. Me këtë rast e kemi humbur një medalje, pasi ajo ishte favorite dhe kishte punuar shumë për këtë gjë. Nuk e kemi lënë asnjë rrugë pa e kërkuar për të dalë nga kjo situatë, por më kot. Sot jemi dorëzuar përfundimisht”, theksoi për “Zërin” kreu i boksit kosovar. Ai shpjegoi se krerët e FboxK-së kanë kërkuar të pajisen me vizë të Indisë në Beograd, pasi në shtetet tjera përreth nuk ka ambasadë të Indisë, por fatkeqësisht kanë marrë përgjigje negative nga qeveria indiane.

Hasani: Na vjen keq, raste të tilla mund të përsëriten

I shqetësuar me rastin e fundit është edhe numri 1 i sportit kosovar, Besim Hasani. Ai thotë se ka punuar me të gjitha forcat dhe se ia ka bërë hyzmetin që diçka e tillë të mos ndodhë, madje bashkë me bashkëpunëtorët nga sporti ndërkombëtar, por që në fund nuk është bindur qeveria indiane. Edhe për të, t’i mohohet pjesëmarrja në Botëror një sportisteje, me potencial të fitojë edhe medalje, është e papranueshme dhe e pakuptimtë.

“Nuk është rasti i parë e as nuk do të jetë i fundit, pasi raste të tilla mund të shohim edhe në të ardhmen. Janë 79 ose 80 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kur po organizohen kampionatet evropiane dhe botërore qeveritë e këtyre shteteve po marrin vendim që të mos marrin pjesë sportistët tanë. Sa i përket vijës institucionale sportive, sportistët e kanë mbështetjen maksimale, edhe prej federatave të vendeve përkatëse, Komitetit Olimpik të këtyre vendeve dhe federatave evropiane e botërore”, u shpreh fillimisht për gazetën kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Personalisht është angazhuar edhe presidenti i KON-it, jam takuar me të, është angazhuar dhe ka biseduar me përfaqësues të sportit indian dhe ka kërkuar nga ta që t’i bëjnë presion qeverisë së këtij vendi që Donjeta të trajtohet e barabartë me të gjithë sportistët. As kjo nuk ka dhënë fryt, pasi qeveria indiane është e përcaktuar, nuk e ka dhënë lejen në asnjë formë. Sa i përket angazhimit në vijën sportive, nuk është derë që nuk është rrahur, por vendimet qeveritare janë vendimtare”, vazhdoi Hasani, i cili nuk ndalet me kaq.

“Është mëkat dhe jam shumë i bindur që pasojat në aspektin e organizimeve të mëtejme të botërorëve dhe të evropianëve, për shkak të vendimeve të qeverisë, do t’i bartë vetë India, e cila rrezikon që të mos e marrë më organizimin e një evenimenti të tillë. Fatkeqësisht u bë edhe një diskriminim, ndaj Kosovës, e posaçërisht ndaj Donjetës. Ky ishte shansi i fundit për të në kategorinë e junioreve në Botëror dhe ajo ishte optimiste për medalje”, përfundoi Hasani.

Kosovën në Guwahati të Indisë, ku pritet të mbahet Botërori, planifikohej ta përfaqësonin boksierja Sadiku, trajneri i saj Brahimi dhe gjyqtari Latif Demolli.

Donjeta kishte ushtruar së fundmi me trajnerin e saj, Besimin, në Sofje të Bullgarisë, por edhe në Kosovë, por i gjithë ky mund dhe sakrificë i shkuan huq.

Donjeta po bëhet me pasaportë shqiptare

Donjeta Sadikut shumë shpejt pritet ta marrë pasaportën shqiptare në mënyrë që të mundë të shkojë pa probleme në garat e ardhshme ndërkombëtare për ta përfaqësuar Kosovën. Ajo, së bashku me trajnerin e saj Besim Brahimi, e kanë marrë rrugën drejt Tiranës të enjten dhe me vendim të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë aplikuar për pasaportë shqiptare. Ajo pritet ta marrë nënshtetësinë shqiptare brenda një muaji./Zëri