Kosova, specialiste e miqësoreve

Sport November 15, 2017 - 11:52

Ana psikologjike me gjasë po i shkakton dëme të mëdha Përfaqësueses së Kosovës. Ekspertët thonë se “Dardanët” nuk po dinë ta menaxhojnë aspektin psikologjik, gjë që po u shkakton humbje në ndeshjet e rëndësishme siç i humbën ato kualifikuese për botërorin “Rusia 2018”. Trajneri i njohur, Fahredin Duraku, thotë se këtë e vërteton fakti se Kosova po fiton në ndeshje miqësore, në të cilat po hyn pa ngarkesë psikologjike dhe pa presion

Përfaqësuesja e Kosovës kishte harruar se çka është fitorja për afro një viti e gjysmë “sherri” i ndeshjeve eliminatore, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit kishin regjistruar 9 humbje dhe një barazim në kualifikimet e “Botërorit 2018” dhe trajneri Albert Bunjaki u largua nga posti i tij me merakun e fitores.

Mirëpo, “Dardanët” kanë pamje krejt tjetër kur bëhet fjalë për miqësoret. Ata janë fuqi në vete në këtë aspekt dhe që prej pranimit në UEFA e në FIFA kanë statistika mbresëlënëse.

Ata janë të qindpërqindtë, pasi kanë shënuar dy fitore, ndaj Ishujve Faro 2:0 dhe në duelin e së hënës me Letoninë me përmbysje 4:3.

Bile-bile Kosova i kishte shënuar vetëm tre gola në 10 ndeshjet për “Russia 2018”, ndërkohë që i shënoi katër në vetëm një ndeshje.

Trajneri Fahredin Duraku e ka analizuar këtë situatë, duke theksuar se arsyeja se përse Kosovës po ia do në miqësore dhe po dëshpëron në eliminatore është për shkak të peshës së ndeshjeve.

Sipas tij, në miqësore lojtarët nuk kanë kurrfarë ngarkese, për dallim nga ndeshjet ku kërkohen medoemos pikët.

“Është ligj në futboll që në ndeshjet kualifikuese futbollistët janë më të ngarkuar në të gjitha aspektet, sidomos në atë psikologjik. Në eliminatore ata janë të obliguar të fitojnë për t’u ngritur sa më lart në tabelë dhe kjo u kushton. Ndërsa, në ato miqësore lojtarët janë më të relaksuar dhe nuk kanë presion, prandaj kjo u ndihmon të luajnë më qetë”, thotë fillimisht Duraku për “Zërin”.

Nevojitet mentaliteti fitues

Kosova i është kthyer pas një kohe të gjatë fitores. Trajneri mitrovicas mendon se kjo është shumë e rëndësishme për ta ngritur vetëbesimin te lojtarët, por e sheh të nevojshme që Verdhekaltrit ta regjistrojnë një seri të fitoreve, e cila do ta ngrejë moralin tek ata.

“Ne kemi pasur mungesë të fitoreve dhe ajo ndaj Letonisë është shumë e rëndësishme, edhe pse kundërshtari nuk ishte i fortë. Kjo fitore i jep moral ekipit për ta fituar mentalitetin fitues, i cili i mungon pas humbjeve të njëpasnjëshme në eliminatore. Fitorja u jep vetëbesim dhe kurajë lojtarëve, por kjo fitore nuk duhet të na mashtrojë pasi nuk kemi arritur asgjë. E rëndësishme do të ishte që Kosova të ketë vazhdimësi, pra të fitojë më shumë ndeshje radhazi dhe me këtë rast do të rritej vetëbesimi”, vazhdoi ai.

Duraku ka kërkuar nga lojtarët që ta kenë qasjen e njëjtë në ndeshje si në ato miqësore, ashtu edhe në ato eliminatore, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen rezultatet pozitive edhe në kualifikime.

Ai nënvizoi se eliminatoret e “Botërorit 2018” e kanë ndihmuar shumë Kosovën, e cila tash është gati për sfidat që e presin.

“Eliminatoret e Botërorit ishin një përvojë e madhe për Kosovën dhe më nuk ka arsye të themi se nuk kemi përvojë. Besoj se në kualifikimet e Evropianit do të luajmë më mirë dhe do ta tregojmë një fytyrë tjetër. Shpresoj ta kemi një mentalitet fitues, të cilin mund ta përçojë trajneri i ri që do të vijë”, shtoi tutje Duraku.

Na munguan miqësoret

Kosova nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje miqësore gjatë eliminatoreve, pavarësisht mungesës së madhe për ndeshje të nivelit të tillë.

Dhe ish-trajneri i Trepçës ’89 shpreson që tash e tutje Federata e Futbollit të Kosovës t’i shfrytëzojë të gjitha datat e lira të FIFA-s që t’i gjejë kundërshtarë Përfaqësueses për ndeshje kontrolluese, të cilat i konsideron si shumë të dobishme për ndërtimin e skuadrës ideale të Kosovës.

“Miqësoret i kanë munguar shumë Kosovës, nuk ka luajtur ndeshje të tilla qe një vit e gjysmë, kjo është një katastrofë. Ato janë mjaft të mirëseardhura pasi trajneri e ka mundësinë t’ua japë rastin futbollistëve të rinj dhe t’i provojë ata. Kosova ka nevojë për sa më shumë ndeshje kontrolluese, të cilat janë shumë të rëndësishme”, përfundoi Duraku. /Zëri/