Ventura: Kam humbur vetëm dy ndeshje

Sport November 15, 2017 - 10:41

Përzgjedhësi i Italisë, Giampiero Ventura është duke refuzuar që të japë dorëheqje pas dështimit për t’i siguruar kualifikimin e përfaqësueses në Kupën e Botës.

Ventura konsiderohet si përgjegjësi kryesor pas humbjes me rezultatin e përgjithshëm 1:0 në ndeshjen e barazhit të Botërorit ndaj Suedisë, por ai ka kontratë deri në qershor të vitit 2020 dhe është duke refuzuar dorëheqjen.

“Nuk mund të flas tani. Në të ardhmen do të keni të gjithë kohën dhe gatishmërinë time për të diskutuar këtë çështje”, u përgjigj Ventura pas pyetjes se a do të japë dorëheqje.

“Iu kam kërkuar falje italianëve për rezultatin. Është e vështirë që ta shohësh Kupën e Botës pa Italinë, por kjo ka ndodhur dhe nuk mund të bëj asgjë për këtë”, u shpreh ai.

“Ende kam disa prej rezultateve më të mira të 40 viteve të fundit. Kam humbur vetëm dy ndeshje në dy vite”, shtoi italiani./Zëri