Ambasada e SHBA-së ia refuzon përfundimisht vizën Godellit

Sport November 13, 2017 - 15:22

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka refuzuar përfundimisht vizën peshëngritësit shqiptar Daniel Godelli.

Ky i fundit kishte aplikuar si çdo peshëngritësi tjetër për të marrë pjesë në kampionatin botëror të peshëngritjes që do të zhvillohet në Anaheim të SHBA nga 28 nëntori deri më 5 dhjetor.

Në argumentimin e refuzimit të pajisjes me vizë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka sqaruar se nuk ka asnjë bazë që Godelli do të kthehet sërish në Shqipëri.

Përgjigjja përfundimtare ka ardhur pas refuzimit të parë nga ana e ambasadës për pajisjen me vizë.

Nuk është vetëm Daniel Godelli, peshëngritës të cilit i është refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara për të hyrë në tokën amerikane, e për të marrë pjesë në kampionatin botëror të peshëngritjes, që do të zhvillohet në Anaheim të Kalifornisë.

Viza i është refuzuar edhe kampionit olimpik dhe rekordmeni botëror në kategorinë e peshës deri në 85 kg, Kianoush Rostami.