UEFA investon 2 milionë euro në Obiliq për kampin Nacional të FFK-së

Sport November 13, 2017 - 15:18

Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, priti në takim kryetarin e FFK-së Fadil Vokrrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FFK-së Eroll Salihun.

Qëllimi i këtij takimi ishte marrëveshja për ndërtimin e Qendrës së Edukimit dhe kampit nacional të FFK-së në stadiumin "Agron Rama", në Obiliq.

Parcela ku pritet të realizohet ky projekt, është rikthyer në pronësi të komunës së Obiliqit dhe do të jetë e gatshme për ndërtim.

Në këtë projekt, UEFA fillimisht ka ndarë 2 milion euro, kurse në faza të tjera pritet rritje e kësaj vlere të investimit.

Kryetari Gashi theksoi se ky është investimi më i madh që është bërë deri më tani në komunën e Obiliqit.

Ai tha se me këtë projekt do të përfitojë jo vetëm komuna e Obiliqit, por edhe Kosova në përgjithësi pasi që Përfaqësuesja e Kosovës do t'i zhvillojë aktivitetet e saja në Obiliq.

Në anën tjetër Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri në prononcimin e tij tha se Obiliqi do të jetë shtëpia e Kombëtares së Kosovës.

Ai e falënderoi kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin për punën që ka bërë rreth procedurave për ndërtimin dhe realizimin e këtij projekti.

“Ky do të jetë një investim prej 2 milionë eurosh fillimisht, ku më pas pritet të rritet vlera e këtij investimi”, deklaroi Vokrri.