‘Futbollistët janë të etur për fitore, kemi nevojë për tifozët’

Sport November 12, 2017 - 18:34

Sahiti kërkon përkrahjen e “Dardanëve” të hënën në “Adem Jashari”.

Me stërvitjen e katërt në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ka përfunduar edhe përgatitja katërditore e Kombëtares së Kosovës para ndeshjes miqësore kundër Letonisë, që do të zhvillohet nesër në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë në orën 19.30.

LEXO EDHE: Valon Berisha kërkon fitore para tifozëve të Kosovës

Trajneri i përkohshëm i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, që zëvendëson të larguarin, Albert Bunjaku, ka bërë të ditur një ditë para miqësores me Letoninë se lojtarët janë të etur për fitore, ndërsa kërkoi mbështetjen e tifozëve.

“Kemi punuar mjaft në këto katër ditë. Brenda grupit kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë. Po vërehet një dëshirë e madhe për fitore”, tha Sahiti.

“Është një moment i veçantë për shumicën e futbollistëve, të cilët për herë të parë do të luajnë para shikuesve në Kosovë dhe kjo na bën edhe më tepër përgjegjës që të angazhohemi maksimalisht për një rezultat të mirë që shpresoj të mos mungoi”, shtoi ai.

“Besoj që stadiumi “Adem Jashari” do të jetë për plotë me adhurues që do të jenë në përkrahje të Kombëtares dhe në fund të mos ndahen të zhgënjyer”, theksoi mes tjerash Sahiti. /Gazeta Express/