Veseli: Nuk ka ndeshje miqësore

Sport November 12, 2017 - 14:48

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Frederik Veseli, ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka folur për miqësoren që kuqezinjtë do të luajnë nesër ndaj Turqisë

Mbrojtësi Frederik Veseli theksoi se gjatë kësaj jave, skuadra ka njohur më mirë trajnerin Christian Panucci dhe është bashkuar më shumë si grup.

Miqësorja ndaj Turqisë

“Është ndeshje shumë e rëndësishme. Kemi pasur një javë të plotë për ta përgatitur dhe nuk besoj se ekzistojnë ndeshjet miqësore. Duhet të japim maksimumin për të bërë sa më mirë. Normal që kundërshtari është i fortë dhe duhet të jemi të kujdesshëm”.

Përgatitjet gjatë kësaj jave

“Në grumbullimet e kaluara kemi pasur pak kohë për stërvitje, ndërsa këtë javë kemi bërë shumë punë të mirë. Jemi bashkuar edhe si grup dhe kemi pasur një shans për të njohur trajnerin pak më shumë”.

Situata te Empoli

“Në aspektin personal gjërat janë mirë. Jam në fushë rregullisht për 90 minuta në çdo ndeshje dhe rezultatet kanë qenë të mira, por kemi pasur disa humbje dhe shpresoj të kthehemi sërish në formë dhe të ngjitemi në Serinë A”.

Ofertat në merkato

“Ka pasur gjatë merkatos së verës disa oferta nga Seria A dhe nga jashtë Italisë, por presidenti i klubit nuk më la të largohesha, bëri çmos që të qëndroja aty. Më zgjati edhe kontratën në klub dhe shpreson që të ngjitemi në Serinë A bashkë me mua, ose nëse bëjmë një kampionat të mirë të më shesë në merkaton tjetër”.