Tomas Strakosha vjen me super-lajmin e ditës

Sport November 12, 2017 - 14:37

Lazio mban frymën por me shumë mundësi, Thomas Strakosha do të jetë i gatshëm për ndeshjen derbi të së shtunës.

Portieri shqiptar, i larguar nga Kombëtarja për shkak të një problemi muskulor, do t’i nënshtrohet analizave më të detajuara, por sipas mediave pranë klubit italian, ai nuk rrezikon ndeshjen më të rëndësishme të muajit nëntor, atë kundër Romës.

Menjëherë pas rikthimit të tij në Itali, në klubin bardhekaltër u vunë në lëvizje për të mësuar shkallën e dëmtimit të numrit 1, i cili po rezulton vendimtar me paraqitjet e këtij sezoni dhe sipas informacioneve, bëhet fjalë për një tërheqje të lehtë që e pengon prej javësh 22-vjeçarin shqiptar, edhe pse situata nuk është problematike.

Gjithsesi, përgjigjen përfundimtare, trajneri Inzaghi do ta marrë nga mjeku i skuadrës dhe alternativa e Strakoshës është i riu Guerrieri, që ashtu si numri 1, është rritur në radhët e skuadrave zinxhir të Lazios.