Kosova në dorë të Muharremit
Përfaqësuesja e Kosovës ka rënë në dorë të Muharrem Sahitit. Ndihmësi i deritashëm i përzgjedhësit Albert Bunjaki, i cili u largua pas përfundimit të eliminatoreve të “Botërorit 2018”, do ta drejtojë ekipin Verdhekaltër në miqësoren e 13 nëntorit ndaj Letonisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë.
Sahiti thotë se kjo pozitë nuk është një risi për të pasi zbulon se e ka drejtuar Përfaqësuesen edhe në periudhën 2005-2006, shkruan sot gazeta Zëri.
Ai zotohet se do ta vazhdojë rrugën e nisur nga “shefi” i deritashëm Bunjaki pa bërë shumë ndryshime.
“Bunjaki ka bërë shumë për Përfaqësuesen, e ka ndërtuar atë dhe për këtë i jam falënderues. Andaj, nuk ka nevojë të bëhen shumë ndryshime, pasi bazën tashmë e kemi. Për mua nuk ka ndonjë ndryshim nëse jam trajneri i parë apo ndihmës. Do të mundohem ta kryej punën time sa më mirë të jetë e mundshme”, theksoi fillimisht Sahiti për “Zërin”.
“Do ta shikojmë formën e lojtarëve dhe do t’i ftojmë kryesisht të njëjtit, por dihet se kjo është miqësore dhe mund t’i jepet mundësia edhe ndonjë lojtarit tjetër. Nuk kemi luajtur miqësore qe më shumë se një vit dhe na kanë munguar shumë. Kemi nevojë të madhe për miqësore”, vazhdoi ai.
Fitore për tifozët
Edhe pse është ndeshje miqësore, ai zotohet se futbollistët do ta kenë qasjen serioze dhe do ta japin maksimumin.
Sahiti shprehet se një fitore e meritojnë tifozët si shpërblim për gjithë atë që kanë bërë gjatë kampanjës së lodhshme eliminatore, kur e përkrahën Kosovën kudo që luajti.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar, për t’i shpërblyer tifozët tanë, të cilët nuk kanë kursyer asgjë për të na përkrahur kudo që kemi luajtur.
Ata janë lodhur definitivisht duke udhëtuar, por nuk na kanë lënë vetëm asnjëherë”, shton ish-trajneri i Gjilanit dhe Dritës.
Sahiti zbulon se listën e futbollistëve për miqësoren e nëntorit me Letoninë do ta publikojë më 8 nëntor, kur edhe do ta mbajë një konferencë për shtyp.
Ai tregon se Bersant Celina do të mungojë në këtë takim, edhe pse është në formë të shkëlqyer, për shkak të kartonit të kuq të marrë në miqësoren e fundit me Ishujt Faro, ndërsa nuk do të mundë të llogarisë as në Enis Alushin e lënduar, kurse në dyshim është prezenca e Benjamin Kolollit.
Kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar në ligat evropiane para miqësoreve të nëntorit, andaj Sahiti thotë se do të presë edhe pak për ta kompletuar listën, varësisht prej formës së lojtarëve dhe lëndimeve eventuale, të cilat uron të mos ndodhin.
I gatshëm të vazhdojë
Edhe pse epoka e Albert Bunjakit në Përfaqësuese ka përfunduar, Sahiti thotë se është i gatshëm të vazhdojë të jetë pjesë e shtabit teknik të këtij ekipi. Mirëpo nuk varet gjithçka nga ai.
“Unë kam marrëdhënie pune me Federatën e Futbollit. Mirëpo, nëse do të jem ende pjesë e stafit të Përfaqësueses do të vendosë selektori i ri dhe FFK-ja. Unë jam i gatshëm të vazhdoj. Të shohim”, përfundoi Sahiti, i cili është emëruar përzgjedhës i përkohshëm i Kosovës deri në gjetjen e trajnerit të ri.
Kosovës i kanë munguar shumë miqësoret gjatë periudhës së eliminatoreve, por më në fund FFK-ja e ka gjetur kundërshtarin – Letoninë, për datat e lira të nëntorit.
FFK-ja në kërkim të selektorit
Nga ana tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është në kërkim të përzgjedhësit të ri të Përfaqësueses pas largimit të Albert Bunjakit.
Në FFK i kanë thënë “Zërit” se emrat e përmendur deri më tash janë vetëm spekulime dhe se kryetari Vokrri është duke punuar në këtë drejtim që ta gjejë trajnerin ideal për t’i drejtuar Verdhekaltrit në kampanjën kualifikuese të “Evropianit 2020”. /Zëri/