Prishtina s’do të ndalet

Sport October 31, 2017 - 12:01

Sigal Prishtina e ka nisur në mënyrë fantastike eksperiencën e saj të tretë në FIBA Europe Cup, shkruan sot gazeta Zëri.

Paraprakisht, Bardhekaltrit kishin dështuar në dy sezonet e kaluara, por “e treta e vërteta” po del të jetë me fat për kampionin e Kosovës.

Kryeqytetasit e kanë nisur furishëm këtë edicion në këtë kompeticion, në të cilin përfunduan pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve, javë më parë.

Prishtinasit e mundën fillimisht në udhëtim ekipin Belfius Mons-Hainaut, ndërsa më pas i realizuan dy fitore “express” ndaj skuadrës ukrainase Khimik në kryeqytet, për ta rrëmbyer kryesimin në Grupin G me 6 pikë, duke e bërë kështu një hap gjigant drejt kualifikimit në fazën tjetër.

Dhe ky pikërisht është synimi i Dardan Berishës me shokë.

“Fillim i shkëlqyeshëm i Dardan Berishës, Sigal Prishtina synon të arrijë larg në Evropë”, shkruan FIBA në uebfaqen e saj zyrtare.

“Njëjtë si ndaj Belfius Mons-Hainaut, edhe ndaj Khimik fituam falë lojës sonë të mirë defanzive”, është shprehur trajneri turk i prishtinasve, Ahmet Kandemir.

Berisha i ka idetë e qarta për këtë edicion. Ai u kthye nga Italia për të arritur suksese me Bardhekaltrit.

“Nuk ka marrë fund ende asgjë. Ne i kemi edhe disa ndeshje përpara nesh, por me ndihmën e tifozëve tanë ne mund të kualifikohemi në rundin tjetër. Ne jemi të motivuar dhe do të hyjmë në ndeshjet e ardhshme për fitore”, është shprehur basketbollisti pejan.

“Do të ishte mjaft e rëndësishme për Prishtinën dhe po ashtu për basketbollin kosovar në përgjithësi të shkojmë në rundin tjetër. Dhe, nëse i fitojmë ndeshjet e mbetura në shtëpi, ne do të kualifikohemi”, vazhdoi lojtari me përvojë, i cili fillimisht e ka përfaqësuar Poloninë e tash Përfaqësuesen e Kosovës.

28-vjeçari e shkroi historinë me Verdhekaltrit duke shkuar në kualifikimet e “Botërorit 2019” dhe tash synon ta bëjë të njëjtën gjë edhe në nivelin e klubeve.

Prishtinasit i shënuan tri fitore brenda pesë ditësh: e mundën dy herë Khimikun (e mërkurë, e premte) dhe të dielën Borean në Superligë. /Zëri/