Prishtina e do fitoren e tretë në FIBA Europe Cup

Sport October 27, 2017 - 11:33

Sigal Prishtina tashmë ia ka marrë dorën Evropës. Bardhekaltrit e regjistruan të mërkurën mbrëma fitoren e dytë radhazi në Grupin G, xhiroja e dytë, në FIBA Europe Cup, duke e mposhtur ekipin BC Khimik me rezultat 76:65.

Dhe, kampioni kosovar do të luajë prapë me skuadrën ukrainase sonte, në ndeshjen e kthimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Pasi Ukraina nuk i pranon pasaportat e Kosovës ngaqë nuk e njeh vendin tonë si shtet, të dyja palët kanë vendosur që të dyja ndeshjet të luhen në Prishtinë.

Andaj, loja e dytë do të luhet sonte përsëri në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve duke filluar nga ora 18:00.

Prishtinasit janë të mobilizuar dhe të vendosur që ta kërkojnë sonte fitoren e tretë rresht në këtë eveniment, i cili do t’i afronte me fazën tjetër, derisa në dy edicionet paraprake nuk kaluan mirë në FIBA Europe Cup, ndërkohë që këtë sezon u eliminuan herët nga Liga e Kampionëve, ku morën pjesë për herë të parë.

Ndërkohë, prishtinasit janë të pakonkurrencë në kampionatin vendor, i cili sivjet është më i dobët se asnjëherë më parë. /Zëri/