Shtëpia e kondicionit

Sport October 27, 2017 - 10:59
Sportistët kosovarë kanë ngecje të theksuar në aspektin fizik, pasi në klubet përkatëse nuk punohet sa duhet në këtë drejtim. Ky fakt e ka shtyrë ish-hendbollistin e njohur Alban Dobroshi të hapë shkollën e ushtrimeve kondicionale. 37-vjeçari thotë se interesimi i sportistëve nga sporte të ndryshme është shumë i madh, pasi ata duan të përmirësohen në aspektin kondicional. Gjakovari e sheh të domosdoshme punën fizike pasi insiston se pa ia bërë hyzmetin asaj nuk mund të priten rezultate në arenën ndërkombëtare

E kemi vërejtur shpesh që skuadrat apo sportistët kosovarë i humbin garat ndërkombëtare në sportet përkatëse për shkak të aspektit fizik.

Ky i fundit është mjaft i rëndësishëm në sport dhe duhet t’i bëhet hyzmeti, pasi në të kundërtën nuk mjafton vetëm talenti, shkruan sot gazeta Zëri.

Image

I vetëdijshëm se ky fenomen është i shtrirë në të gjitha sportet, Alban Dobroshi ka vendosur rreth një vit më parë që të hapë shkollën e ushtrimeve kondicionale.

Dita-ditës sportistët kanë filluar të trokasin në dyert e “Tempos”, siç e ka quajtur ish-hendbollisti i njohur kosovar këtë shkollë unike në Kosovë. Dobroshi duket i përkushtuar në punën që e bën, e cila deri më tash ka pasur efekt dhe rezultatet janë vërejtur dukshëm.

“Shkollën e ushtrimeve kondicionale e kam hapur krejt rastësisht, duke iu falënderuar një mikut tim Sead Jakupi, i cili ka qenë iniciator që unë ta bëj punën e trajnerit kondicional. Ta them të drejtën, fillimisht kam filluar me tre tenistë, mirëpo me kalimin e kohës filloi edhe interesimi i prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre, të cilët janë aktivë dhe dëshirojnë të përgatiten fizikisht. Fillimisht të gjithë, pavarësisht moshës, nëse duan të përgatiten fizikisht duhet të shkojnë tek nutricisti që t’ju bëhen analizat dhe më pas, pasi t’i shikoj analizat u rekomandoj se me çka duhet të ushqehen e me çka jo”, tregon fillimisht Dobroshi për “Zërin”.

Image

Krahas sportistëve, shkollën “Tempo” e vizitojnë edhe fëmijë që nuk merren me sport, por që duan të humbin peshë. “Një pjesë e fëmijëve që vijnë tek unë janë me mbipeshë – obez, të cilët dëshirojnë të humbin peshë dhe mandej të vazhdojnë me profesionet e tyre”, shton 37-vjeçari, i cili tregon se momentalisht janë 20 fëmijë që ushtrojnë në këtë shkollë dhe 8 të tjerë janë që duan të ushtrojnë individualisht, duke përfshirë këtu edhe femra.

Aspekti fizik, mjaft i rëndësishëm për suksese

Dihet botërisht se në Kosovë ka talente të shumta në të gjitha sportet. Por, kjo dhunti nuk mjafton nëse nuk i rrihet gati aspekteve tjera. Mbi të gjitha atij fizik. “Nëse duam të arrijmë rezultate kulmore në arenën ndërkombëtare pika kyçe përpos punës teknike është edhe ajo fizike. Nëse nuk punohet në mënyrë profesionale nuk mund të presim rezultate”, këshillon Dobroshi.

Ai tregon se ushtrimet mbahen katër herë në javë, dy herë në sallë dhe dy herë në Gërmi. Albani e preferon më shumë Gërminë, për shkak të ambientit të hapur, ndërsa ushtrimet në palestër mbahen në shkollën “Pavarësia”.

Image

Ai është duke ushtruar edhe disa sportistë të cilët dëshirojnë të shkojnë në prova jashtë vendit si Alb Humolli, Norik Humolli e Buron Humolli. Albin po mundohet ta përgatisë për gjashtë muaj, në mënyrë që ky futbollist i talentuar të jetë sa më i gatshëm për provat që e presin jashtë Kosovës.

Dobroshi zbulon se përpos fëmijëve është duke punuar edhe me persona në mbipeshë si me femra, ashtu edhe me meshkuj. Ai ka edhe këshilla për të rinjtë. “Ta them të drejtën, kam klientë të cilëve ua kam humbur rreth 14 kilogramë vetëm me ushtrimet të cilat ua kam sugjeruar. Kuptohet, duhet të kujdesen edhe në ushqim: Të mos përdoret buka e bardhë dhe duhet t’ju ikin brumërave dhe sheqereve”, vijoi Dobroshi.

Image

S’e harron hendbollin, i gatshëm të kthehet

Dobroshi e kishte kaluar një jetë me hendboll, fillimisht si lojtar e më pas edhe si trajner i të rinjve. Edhe pse qe një kohë nuk është pjesë e kësaj “bote”, ai thotë se është i gatshëm të kthehet kurdo në sportin që i fle më së shumti në zemër.

“Qe 4 vjet nuk jam aktiv në hendboll dhe t’ua them të drejtën jam i fokusuar në shkollën time. Por, nëse më ofrohet të punoj me gjenerata të reja apo me akademi, me plot dëshirë do të pranoja”, thotë Dobroshi, i cili megjithatë nuk e kishte vështirë të punojë edhe në aspektin kondicional, pasi është pjesë e sportit që nga vegjëlia.

Image

“E kam pasur shumë më të lehtë të punoj në këtë profesion për faktin se e kam një bagazh të madh si sportist. Krahas kësaj, e kam kryer edhe Fakultetin e Kulturës Fizike dhe tani shpresoj që së shpejti ta përfundoj edhe specializimin si trajner kondicional në Tetovë”, shprehet ish-hendbollisti i Vëllaznimit, Prishtinës, Besës, Kastriotit, Vushtrrisë dhe Osijekut në Kroaci, i cili ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. /Zëri/

Image