Liderët e rinj

Sport October 23, 2017 - 12:26
FC Prishtina e ka marrë primatin në Superligën e futbollit. Bardhekaltrit e shfrytëzuan “kiksin” e Llapit, i cili u ndal në Prizren, duke e mposhtur bindshëm Besën, 4:0, për t’u bërë liderë të rinj. Gabimin e llapjanëve megjithatë nuk diti ta shfrytëzojë Gjilani, i cili barazoi pa gola me të fundit në tabelë, Vllaznia. Sidoqoftë, gjilanasit e mbajnë ende një primat: mbeten ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion në elitën e futbollit kosovar

FC Prishtina është lidere e re e Superligës së Kosovës në futboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit e kanë shfrytëzuar mjaft mirë gabimin e kundërshtarëve për ta marrë primatin në xhiron e 11-të.

Në fakt lideri i deritashëm Llapi “kiksoi” këtë xhiro duke u mposhtur bindshëm nga Liria, 3:0 dhe prishtinasit nuk e falën këtë rast jetësor, duke e mundur Besën me rezultat bindës 4:0.

Ergyn Ahmeti ka qenë hero i ekipit kryeqytetas, duke realizuar dy gola në minutat 40 e 80, ndërsa nga një gol e kanë shtuar Gauthier Mankenda (22’) e Ahmed Januzi (23’).

“Ishte ndeshja ime e parë si titullar, shënova dy gola. Çfarë të them përveçse e kam pritur këtë rast, duke e shfrytëzuar po ashtu siç kam pritur. Besoj se këta dy gola do të më motivojnë të vazhdojmë tutje në vazhdimësi të kampionatit, sepse ka shumë lojë dhe do të kontribuoj sa më shumë për ekipin. Është ndjenjë e mirë të gjendemi në vendin e parë dhe pres të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund”, është shprehur pas lojës heroi Ahmeti.

Image

Prishtina po e merr veten

Mirel Josa nuk e kishte nisur dhe aq mirë eksperiencën tek Prishtina. Mirëpo lojë pas loje ekipi Bardhekaltër po e merr veten dhe po i radhit fitoret. Trajneri shqiptar ndihet i kënaqur me atë që po e japin lojtarët e tij, ndërsa tregohet modest sa i përket lidershipit.

“Mua thjesht nuk më intereson shumë vendi i parë momental, por ecuria e skuadrës nga ndeshja në ndeshje. Edhe sot hymë në ndeshje me probleme të mungesave, por lojtarët të cilët luajtën i plotësuan detyrat ashtu siç duhet dhe e uroj skuadrën për këtë hap që bëri. Pavarësisht nivelit të kundërshtarit mua më pëlqeu se si skuadra ime e vlerësoi ndeshjen dhe duke vlerësuar kundërshtarët ne fundi i fundit e respektojmë veten tonë”, theksoi ai.

“Ndërsa s’mund ta vlerësoj dallimin e cilësisë sepse edhe ne i patëm problemet tona, ashtu siç kanë edhe skuadrat më të mëdha, por mua më intereson që nga java në javë t’i zvogëlojmë gabimet e ta përmirësojmë lojën tonë”, vazhdoi ish-trajneri i Skënderbeut. /Zëri/