Katalonja si Kosova

Sport October 23, 2017 - 12:25

Katalonja mund ta ndjekë rrugën e Kosovës për t’u pranuar në të ardhmen në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në atë Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), shkruan sot gazeta Zëri.

Një mundësi të tillë e ka pranuar edhe presidenti i ri i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili është shprehur se katalonjasit një ditë mund t’i bashkohen këtij institucioni, i cili do ta përsëriste atë që e ka bërë edhe me Kosovën.

“Ne jemi duke e ndjekur situatën, jemi në kontakt me Federatën dhe me Barcelonën. Natyrisht ekziston mundësia që të marrim kërkesë nga Katalonja një ditë për t’u bërë pjesë e UEFA-s, njëjtë siç e kishim marrë nga Kosova. Ekuacioni është i thjeshtë: ne i njohim vendet që janë të pranuar nga pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, është shprehur numri një i futbollit evropian për të përditshmen sllovene “Veçer”.

Katalonja së fundmi e ka shprehur vendosmërinë që ta shpallë pavarësinë e saj nga Spanja.

Rrjedhimisht kjo krahinë momentale e Spanjës do ta ketë edhe përfaqësuesen e saj zyrtare dhe do ta kërkojë pranimin në të gjitha instancat e futbollit në UEFA e në FIFA për ta pasur mundësinë që të luajë me Përfaqësuesen dhe klubet e saj në Evropë.

Dilemë është nëse Barcelona, gjigant evropian, do të vazhdojë të luajë apo jo në ligën spanjolle - La Liga.

Gjithsesi, UEFA dhe FIFA shprehen të brengosura me atë që po ndodh në Spanjë pas kërkesës së Katalonjës për ndarje nga ky shtet dhe dy institucionet më të larta të futbollit botëror e presin një përsëritje të skenarit të Kosovës, së cilës megjithatë i është stërzgjatur rruga deri tek pranimi në UEFA e në FIFA. /Zëri/