Mund të largohet në janar

Sport October 21, 2017 - 12:42

Ky mund të jetë sezoni i fundit i Milot Rashicës në futbollin holandez. Ylli kosovar i futbollit ka paralajmëruar se nga fillimi i vitit 2018 mund të largohet nga Vitesse për një klub më të madh. Interesimi për përfaqësuesin kosovar nuk mungon, mbi të gjitha nga Italia, ku e pëlqejnë Napoli dhe Lazio, shkruan Zeri.

Vushtrriasi po kalon momente magjike me ekipin holandez dhe këto paraqitje të shkëlqyeshme u kanë rënë në sy klubeve të njohura evropiane, por atë e pëlqen edhe Ajaxi në Holandë.

Sidoqoftë, synim i ish-futbollistit të Kosovës së Vushtrrisë është të luajë në një ligë më të fortë evropiane. Atë e bën krenar fakti se klubet evropiane, mbi të gjitha ato italiane, po e vëzhgojnë dhe po e kërkojnë, andaj është gati ta bëjë hapin e madh të karrierës, me gjasë qysh në janar. “Zërat që flasin për mua më bëjnë krenar, por jam lojtar i Vitesses dhe do ta bëj të pamundurën për ta dhënë kontributin tim këtu deri në fund të sezonit. Nëse interesimet do të jenë ende konkrete, në janar do ta vlerësoj se cila është rruga më e mirë për mua dhe për klubin”, ka thënë Rashica për të përditshmen holandeze “De Telegraaf”.

Gjithsesi, ai ka thënë se ndihet mirë për interesimin e Lazios për të, pasi drejtori sportiv Igli Tare e do me ngulm në kryeqytetin italian. Por, as Napoli nuk do të dorëzohet për Rashicën deri në momentin e fundit, sa ka gjasa dhe mundësi për ta angazhuar atë.

Rashica kishte shpërthyer qysh në sezonin e parë te Vitesse, ndërsa ishte stabil edhe në sezonin e dytë dhe në atë të tretë, të cilin po e kalon momentalisht. Për dallim nga paraqitjet tek ekipi holandez, ai ishte hije në 10 ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e “Botërorit 2018”./ZERI/.