E premtja e zezë

Sport October 21, 2017 - 10:16

Dita e premte ka qenë e zezë për futbollin kosovar. Derbi kuqezi ndërmjet Flamurtarit dhe Vëllaznimit është ndërprerë në fund pasi disa tifozë prishtinas janë futur në fushë dhe i kanë sulmuar futbollistët gjakovarë, të cilëve ua kanë sulmuar edhe autobusin. Ndërsa, pas përfundimit të ndeshjes Drita – Trepça ’89, një tifoz i kaloi rrethojat dhe tentoi ta sulmonte fizikisht gjyqtarin Genc Nuza. Fatkeqësisht, dhuna në futbollin kosovar është kthyer, shkruan sot, gazeta Zeri.

Dhuna në futbollin kosovar është kthyer. Ndeshjet e xhiros së 11-të të Superligës nuk patën rrjedhë normale. Nga katër duelet e zhvilluara të premten, dy prej tyre patën fund të hidhur. Derisa në Gjilan gjyqtari Genc Nuza shpëtoi për fije të flokut pa u sulmuar nga një tifoz/huligan, që i kaloi rrethojat dhe tentoi ta godiste, turpi ndodhi në ndeshjen derbi të skuadrave kuqezi, Flamurtari dhe Vëllaznimi, që u luajt në stadiumin “Xhemail Ibishi”.

Kryeqytetasit po avanconin që nga minuta e 10-të falë golit të Boshnjakut, por gjakovarët nuk u dorëzuan deri në fund dhe e gjetën golin e barazimit në minutën e 88-të me anë të portierit Altik Muhaxhiri, i cili shënoi një gol të rrallë. Dhe kur mysafirët po e festonin këtë gol një tifoz i kaloi rrethojat dhe zbriti në fushë, duke e sulmuar një lojtar gjakovar me një mjet që e mbante në dorë.

Më pas dhuna ka marrë përmasa edhe më të mëdha dhe është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i qetësuar gjakrat. Madje, tifozët vendës e kanë sulmuar edhe autobusin e udhëtuesve. Kjo e ka detyruar gjyqtarin që ta ndërpresë lojën pasi aty më nuk kishte kushte për vazhdimin e saj. Gjakovarët kanë thënë se në Prishtinë e kanë parë tmerrin me sy dhe kanë njoftuar se tre futbollistë janë të lënduar nga sulmet fizike. Bëhet fjalë për Semir Zenelin, Jeton Dushin e Granit Osmanollajn.

Sidoqoftë, kontingjenti i klubit gjakovar, nën përcjellje të Policisë, pas lojës e ka marrë rrugën drejt Gjakovës. Në ditët në vazhdim komisionet përkatëse në Federatën e Futbollit të Kosovës do ta marrin vendimin për këtë ndeshje të ndërprerë, ndërsa faktet thonë se gjakovarët do ta fitojnë këtë lojë në tavolinë, 3:0.

Kampioni s’dorëzohet në Gjilan

Kampioni i Kosovës, Trepça ’89, nuk është dorëzuar në Gjilan duke barazuar me Dritën 1:1. Madje, skuadra që u udhëhoq nga trajneri Gani Sejdiu për herë të parë në këtë sezon e pati mundësinë t’i fitonte tri pikët, por penalltinë e Florent Hasanit e ndali portieri Leutrim Rexhepi në minutën e fundit të takimit. “Xehetarët” kishin kaluar të parët në epërsi me golin e Florent Hasanit, të realizuar në minutën e 21-të të ndeshjes.

Mirëpo, gjilanasit e barazuan rezultatin në minutën e 70-të falë autogolit të Chibuezes, pas goditjes me kokë të Kastriot Rexhës. Në minutat shtesë, Bujar Shabani i Dritës është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të protestave. Pas përfundimit të ndeshjes një tifoz i Dritës i ka kaluar rrethojat dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor, Genc Nuza, por për fat të mirë intervenoi Policia dhe e ndali tifozin e rebeluar.

Liria “dërrmon” Llapin

Liria e ka shënuar një fitore të thellë ndaj liderit, Llapi, të cilin e mposhti me rezultat 3:0. Prizrenasit kanë kaluar në epërsi qysh në minutën e parë me anë të Florent Avdylit. Zenel Gavazaj shënoi për 2:0 në minutën e 41-të, kurse vulë këtij takimi i dha Islamaj me golin e realizuar në minutën e 81-të. Kjo fitore e ngrit ekipin Bardhezi përkohësisht në pozitën e tretë në tabelë. Nga ana tjetër, llapjanët me këtë humbje rrezikojnë ta humbin primatin, nëse Gjilani ose Prishtina fitojnë të shtunën në duelet përkatëse.

Derbi i Drenicës, pa fitues

Drenica dhe Feronikeli kanë barazuar pa gola, 0:0, në përballjen në mes tyre në derbin lokal të kësaj ane. Të dyja skuadrat kanë tentuar të shënonin, por nuk ia dolën. “Nikli” është bërë ekspert i barazimeve, pasi e regjistroi “X”-in e shtatë sezonal në 11 ndeshje të luajtura. Pa dyshim, ky rezultat i kënaq të dyja skuadrat.

 

Superliga – Java e 11-të

Rezultatet

Liria – Llapi      3:0

Drita – Trepça’89         1:1

Drenica – Feronikeli     0:0

Flamurtari – Vëllaznimi  1:1 (u ndërpre)

 

Tabela

1. Llapi 11        6          2          3          13:10   20

2. Gjilani           10        4          6          0          11:7     18

3. Liria 11        5          3          3          8:4       18

4. Prishtina       10        5          3          2          9:6       18

5. Drita 11        4          5          2          15:9     17

6. Trepça ’89   11        5          2          4          14:10   17

7. Drenica        11        4          2          5          10:10   14

8. Vëllaznimi     10        3          4          3          7:6       13

9. Feronikeli     11        2          7          2          7:7       13

10. Besa           10        4          0          6          11:13   12

11. Flamurtari   10        1          3          6          6:16     6

12. Vllaznia      10        1          1          8          5:18     4