Duka: Komplimenta Skënderbeut, po na përfaqëson denjësisht!

Sport October 20, 2017 - 12:48

Për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, sfida Skënderbeu – Partizani i Beogradit, përtej rezultatit që mund të kishte qenë edhe më favorizues për skuadrën e Dajës, ishte tregues i emancipimit dhe mentalitetit të shqiptarëve në organizimin e ndeshjeve të futbollit.

“Shqipëria ka dhënë prova se di të organizojë edhe ndeshje të një risku të lartë. Ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit e vërtetoi më së miri këtë. Nuk kisha ndonjë merak se mund të ndodhte ndonjë gjë, por kisha shumë dëshirë që Skënderbeu të fitonte. Ishte një ndeshje shumë e bukur dhe ne të gjithë duhet ta komplimentojmë Skënderbeun që po na përfaqëson denjësisht në Europa League.”

Duka theksoi më tej se e gjithë Shqipëria është me Skënderbeun në Europa League, si përfaqësuesi më i denjë i futbollit tonë.

“Të gjithë shqiptarët janë tifozë të futbollit dhe përderisa Skënderbeu po na përfaqëson në ndeshjet europiane, pa dyshim që do ta mbështesin. Nuk ka dyshim që gjëja më e mirë që ka Shqipëria është futbolli.”