Edhe 2 Korriku 'shtegton' jashtë Prishtinës

Sport October 20, 2017 - 12:37
Mungesës së stadiumeve dhe fushave të futbollit në Prishtinë po ua shohin sherrin klubet e kryeqytetit. Pas FC Prishtinës, edhe 2 Korriku është detyruar “të shtegtojë” nga kryeqendra për të luajtur në një qytet tjetër. Stadiumi në Arbëri është duke u renovuar dhe kjo e ka detyruar ekipin Verdhekaltër të zhvendoset në Obiliq, në stadiumin e KEK-ut. Drejtori Shaban Baholli thotë se është mëkat që Prishtina nuk ka më shumë stadiume dhe se nuk ka kurrfarë alternative për klubet e qytetit. Komuna e Prishtinës ka “fjetur” vazhdimisht në këtë drejtim

Klubet e kryeqytetit po ia shohin sherrin më së shumti mungesës së stadiumeve dhe fushave të futbollit, shkruan sot gazeta Zëri

2 Korriku është skuadra e dytë prishtinase, pas FC Prishtinës, që ka “shtegtuar” nga kryeqyteti për të luajtur në një qytet tjetër pasi nuk kishte ku të luante.

Në fakt, stadiumi i Verdhekaltërve në Arbëri është duke u renovuar dhe kjo i ka shtyrë ata që ta gjejnë një stadium tjetër për të luajtur si vendës dhe në fund u vendosën për opsionin e stadiumit të KEK-ut në Obiliq.

Punimet për renovimin e stadiumit të 2 Korrikut kanë filluar para 10 ditësh dhe do të zgjasin 45 ditë, në bazë të parallogaritjeve të punëkryesve, edhe pse në vendin tonë zakonisht punimet zgjasin shumë më tepër, siç është rasti i punimeve në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Më saktësisht, në stadiumin në Arbëri do të shtrohet bari artificial, do të rregullohet sistemi i ujitjes dhe do të rregullohen rrethojat.

Renovimin e këtij stadiumi e ka financuar Ministria e Sportit dhe ky projekt do të kushtojë rreth 200 mijë euro.

Ndërkohë, 2 Korriku ka marrë premtim nga Komuna e Prishtinës që do ta financojë rregullimin e tribunave, por momentalisht nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Image

Baholli: Është mëkat që në Prishtinë s’ka më shumë alternativa

Drejtori i klubit, Shaban Baholli, thotë se klubi kryeqytetas e zgjodhi Obiliqin pasi nuk kishte alternativa në Prishtinë.

“Është mëkat që në kryeqytet nuk ka më shumë fusha dhe alternativa. Paramendojeni, në qytetet tjera ka deri në dy fusha me bar artificial e ne nuk e kemi asnjë. Na u desh të transferohemi në Obiliq. Do të luajmë në këtë stadium pasi fusha është më e gjerë dhe na i përshtatet më shumë lojës tonë të hapur”, thotë Baholli për “Zërin”.

Ai nuk e përjashton mundësinë që Verdhekaltrit ndonjë ndeshje në vjeshtë ta luajnë edhe në stadiumin e Flamurtarit, nëse palët arrijnë marrëveshje, pasi alternativa tjera nuk ka.

Fusha e parë me bar artificial në Prishtinë

Momentalisht nuk ekziston asnjë fushë me bar artificial në kryeqytet për dallim nga qytetet tjera të Kosovës, ku thuajse të gjitha e kanë nga një.

Baholli shpjegon se me këtë rast 2 Korriku do ta ketë më lehtë ta mirëmbajë fushën me bar artificial.

“Tashmë kanë filluar gërmimet dhe është duke u bërë drenazhi. Vendosëm për bar artificial pasi është më e lehtë mirëmbajtja. Paramendojeni, ne i kemi 9 ekipe garuese. Vetëm kur luanin në fushën e deritanishme përkeqësohej gjendja e lëre më kur mbahen stërvitjet. Për t’i ikur lloçit vendosëm për bar artificial. E kam pritur gjatë këtë ditë. Është një lajm fantastik për ne. Kjo do të jetë fusha e parë me bar artificial në Prishtinë”, vazhdoi ai.

Komuna e Prishtinës nuk e ka parë të arsyeshme të ndërtojë fusha apo stadiume tjera në kryeqytet. Madje, nuk e ka dhënë ende aminin as për ndarjen e tokës për ndërtimin e kompleksit sportiv për akademinë e futbollit të Prishtinës.

Image

“Gjithsesi, është dashur të bëhet më shumë në këtë drejtim e jo të përfundojë kryeqyteti në këtë gjendje. Por, nuk është kurrë vonë”, shprehet Baholli.

FC Prishtina është duke u endur herë në një stadium e herë në tjetrin në dy sezonet e fundit shkaku i vonesave të stërzgjatura në renovimin e stadiumit të qytetit.

Momentalisht, Bardhekaltrit po luajnë si vendës në Drenas, derisa 2 Korriku e zgjodhi stadiumin e KEK-ut, ku kishte luajtur vjet klubi më i madh në vend. Nëse për diçka ka nevojë kryeqyteti janë stadiumet dhe fushat e futbollit. /Zëri/