Sport

Zbardhen kërkesat e rralla të serbëve për Skënderbeun

Zbardhen kërkesat e rralla të serbëve për Skënderbeun
18 tetor 2017 • 19 : 46

Nga keku i thatë pas ndeshjes, te 35 kile akull për rikuperimin e lojtarëve. Klubi serb i Partizanit të Beogradit i ka dërguar një “e-mail” Skënderbeut për kërkesat që ka gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për gjëra, të cilat janë të nevojshme për skuadrën dhe duhen përdorur dhe pas ndeshjes.

“Panorama Sport” zbardh kërkesat që ka bërë ekipi serb, teksa gjithçka nis me stërvitjen e sotme, që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 18:30.

Serbët kanë kërkuar nga klubi i Skënderbeut që t’u vërë në dispozicion dy porta lëvizëse, 20 topa futbolli, 3 krevate masazhi, bazë didaktike për stërvitjet në fushë, 15 kilogramë akull, 60 litra ujë natyral, 30 litra ujë me gaz, shportë me fruta, kafe ekspres, çaj, si dhe 40 peshqirë që duhen të jenë në dhomat e zhveshjes. Këto ishin kërkesat për ditën e sotme.

Ndërsa për ditën e ndeshjes, skuadra e famshme serbe ka kërkuar të njëjtën sasi të bazës materiale, përfshirë 20 topa futbolli dhe 3 krevate masazhi, që duhet të jenë në dispozicion.

Ndërsa, pas ndeshjes, serbët kërkuan të kenë në dispozicion 20 kilogramë akull për rikuperim, 90 litra ujë natyral dhe 30 litra ujë me gaz.

Gjithashtu, një shportë me fruta dhe më e veçanta ka të bëjë me kekun e thatë. Nuk mund të mungonte kafeja ekspres dhe çaj, por edhe 40 peshqirë të tjerë.

Sipas burimeve nga klubi i Skënderbeut, këto kërkesa të kundërshtarit cilësohen si krejt normale. Në eksperiencën europiane, korçarët kanë pasur raste, kur kërkesat për ditën e qëndrimit të kundërshtarit në Shqipëri kanë qenë shumë më të mëdha se të Partizanit të Beogradit.

E vetmja gjë që ka bërë habi me serbët është sasia e madhe e akullit, por edhe kjo nuk mund të thuhet se është diçka e pazakontë për ekipet.

© zëri.info