ZYRTARE: Sejdiu-Trepça ’89, marrëveshja e vitit në Kosovë

Sport October 18, 2017 - 17:03

Gani Sejdiu do të jetë trajner i Trepçës ’89 për vazhdimin e sezonit.

Trajneri mitrovicas ka zënë vendin e Sabit Osmanit.

“Kam arritur marrëveshje vullnetare me 89-shin. Do t’i ndihmoj ekipit duke e drejtuar atë deri në janar, por pa nënshkruar kontratë. Jam mitrovicali dhe i kam borxh këtij ekipi. Më pas do të bisedojmë në janar dhe të shohim”, deklaroi Sejdiu për “GazetaOlle.com”.

Marrëveshja mes palëve ishte arritur dje, pasi drejtuesit mitrovicas dhe Gani Sejdiu kishin nisur negociatat mes ditësh.

Ata kanë zgjidhur edhe detajet e fundit, për të zyrtarizuar ri-bashkimin.

Ndryshe, Sabit Osmani nuk do të largohet nga skuadra mitrovicase.

Ai do të kthehet përsëri në pozitën e ndihmës-trajnerit, ashtu siç ishte para largimit të Zekirija Ramadanit.

Osmani i doli në ndihmë ekipit në momentin kur iu desh më së shumti, duke e drejtuar atë në 6 sfida.

Ai ka arritur tri fitore, një barazim dhe dy disfata.

Madje, dy humbjet i pësoi në stadiumin “Riza Lushta”, një nga Gjilani e një nga Prishtina.

Sejdiu e nisi këtë edicion nën drejtimin e Feronikelit.

Mirëpo, ai u largua nga skuadra për, ashtu siç u tha, arsye personale.

Sejdiu nuk bëri fillim të mirë të kampionatit me ekipin nga Drenasi.

Në 7 xhirot sa e drejtoi ai skuadrën, Feronikeli shënoi dy fitore, katër barazime dhe një humbje.

Për dallim nga hera e kaluar, kur fitoi titullin kampion, kjo aventurë e Sejdiut në Drenas nuk doli e suksesshme. /Gazeta Olle/